“Mundësia”: Lëvizja e personalizuar e Agron Shehajt për forcë të re të qendrës së djathtë

Partia ‘Mundësia’ e udhëhequr nga ish-deputeti i Partisë Demokratike dhe sipërmarrësi Agron Shehaj, është një nga subjektet e reja politike që garojnë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Në një dokument të sintetizuar të programit të ndarë me BIRN, kjo parti e ndërton ofertën e saj për elektoratin në 10 shtylla kryesore, kur përfshihen: zhvillimi ekonomik dhe sipërmarrja, drejtësia dhe lufta kundër korrupsionit, shtet efikas dhe administratë transprente; arsimi, kultura dhe inovacioni, rinia dhe emigracioni, shëndetësia dhe politikat sociale, bujqësia, siguria dhe rendi publik, punët e jashtme, si dhe mbrojtja dhe siguria kombëtare.
“Ne besojmë në një shtet të vogël, që i lë qytetarët të lirë të ndërtojnë të ardhmen e tyre pa ndërhyrje të panevojshme,” thekson në program “Mundësia”, duke shpalosur vizionin e saj. “Ne besojmë se mirëqenia dhe zhvillimi ekonomik vijnë nga liria dhe përgjegjësia individuale,” shton ajo.
Partia e udhëhequr nga Shehaj e prezanton veten si një alternativë të qendrës së djathtë, duke u përqendruar në zhvillim ekonomik, lirinë individuale dhe mbrojtjen e vlerave tradicionale.
Megjithatë, analistët politikë e shohin aksionin e saj të ngjashëm me Partinë Demokratike dhe kritikojnë fushatën e bazuar mbi denoncime, në vend të propozimeve të detajuara për të reformuar dhe ndryshuar vendin.
“Mundësia nuk ofron dallime të qarta me Partinë Demokratike, e cila gjithashtu vetëpozicionohet në qendrën e djathtë,” tha Mentor Beqa, lektor i teorive politike në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, ndërsa shtoi se gjithësesi ky grupi i ri politik luan një rol pozitiv në “për pasurimin e diskursit pluralist në Shqipëri”.
“Diferencat, aty ku ekzistojnë, si në qëndrimin ndaj SPAK-ut, janë më shumë produkt i konjukturës politike sesa i një dallimi ideologjik substancial,” shtoi ai.
Edhe Adri Nurellari, themelues dhe drejtor i Institutit Liberal Shqiptar, e sheh me dyshim faktin që “Mundësia” është “është futur në garë me denoncime”.
“Kisha shpresuar të ishin më propozues dhe të mos ishin një ripërsëritje e denoncimeve,” shprehet ai.
Programi i partisë
Kryetari i Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj është me origjinë nga Vlora. Në moshën 13-vjeçare, ai emigroi në Itali me familjen dhe u diplomua për ekonomi në Universitetin e Firenzes. Në vitin 2005, ai themeloi kompaninë ‘Intercom Data Service’ duke ofruar shërbime për qendra thirrjesh telefonike nga Shqipëria në Itali.
Në vitin 2017, Shehaj u zgjodh deputet i Partisë Demokratike dhe në vitin 2021, kandidoi pa sukses kundër Lulzim Bashës për kryetar – në atë që u cilësua nga shumë vëzhgues si një garë e pabarabartë. Pas zgjedhjeve të vitit 2023 dhe ndarjes së PD-së në dy fraksione – njëri që mbështeste ish-kryeministrin Sali Berisha dhe tjetri Lulzim Bashën, Shehaj projektoi themelimin e partisë së tij.
“Shikoja mungesën e një drejtimi, mungesën e vullnetit dhe një plani për të rinovuar Partinë Demokratike, për të hapur Partinë Demokratike”, i tha ai në një intervistë Zërit të Amerikës, duke reflektuar mbi arsyet që e shtynë të largohej nga PD.
Në aspektin ekonomik, programi i partisë “Mundësia” premton uljen e taksave dhe vendosjen e një takse të sheshtë 8%, shkurtimin e administratës duke kursyer 1 miliardë euro, anulimin e të gjitha koncesioneve, përdorim e Inteligjencës Artificiale për dhënien e lejeve të ndërtimit dhe adoptimin e euros në monedhë në vend të lekut. Për sa i përket drejtësisë, Mundësia shafqet si një mbështetëse e madhe e SPAK, ndërkohë që premton edhe punësimin e prokurorëve nga vendet e BE-së për të luftuar korrupsionin.
Partia e udhëhequr nga Shehaj premton rritjen e buxhetit të arsimit dhe themelimin e një institucioni arsimor për nxënës me inteligjencë mbi mesatare, duke iu referuar modelit Atom në Kosovë, reforma në programet shkollor dhe bursa studimi, si dhe një politkë kujtese kombëtare për krimet e komunizmit.
Mundësia synon gjithashtu dhënien e kredive të buta për banesë dhe biznes të vogël për të rinjtë nën 30 vjeç, subvencione për profesionet e lira dhe startup-et, si dhe praktika pune për studentët. Ajo gjithashtu premton rritjen e buxhetit të shëndetësisë, bashkëpunime strategjike me sektorin privat në këtë sektor, digjitalizimi dhe mbështetja e sigurimeve shëndetësore private.
“Ky është një program i djathtë me prirje tipike të ngjashme me partitë demokristiane apo konservatore të Evropës, ku kombinohen: liberalizmi ekonomik klasik (taksa të ulëta, shtet i vogël, treg i lirë), konservatorizëm institucional dhe kulturor (kujtesë për komunizmin, drejtësi e fortë, ruajtje e pronës), angazhim i fortë pro-perëndimor dhe euroatlantik”, tha Andri Nurellari, pasi lexoi sintezën e programit të “Mundësia”.
Por ai shton se ky program nuk është i njohur për publikun dhe partia e Shehajt duhet të bëjë një punë më të madhe për ta artikuluar atë.
“Vetëm se nuk e kam parë të artikuluar”, tha Nurellari.
Nga ana tjetër, Mentor Beqa, duke iu referuar të njëjtës sintezë programi, thotë se “Mundësia” nuk ka arritur të veçojë veten nga forca të ngjashme.
“Partia Mundësia është pjesë e këtij peizazhi të fragmentuar dhe, siç del nga programi i saj, ajo nuk arrin të artikulojë një profil ideologjik të qartë që e diferencon qartësisht nga subjektet e tjera politike”, tha ai.
Sipas tij, programi që synon të prekë votuesit është kontradiktor.
“Programi i Mundësisë premton njëkohësisht ulje drastike të taksave dhe rritje të ndjeshme të shpenzimeve publike në forma të ndryshme: subvencione, pensione, paga etj,” tha Beqa.
“Kjo përbën një kontradiktë të brendshme që nuk sqarohet nëpërmjet ndonjë projekti të mirëargumentuar të reformës fiskale apo të rritjes së të ardhurave përmes mekanizmave të tjerë ekonomikë”, shtoi ai.
Përtej programit, Andri Nurellari thekson se suksesi për një parti të re si “Mundësia” varet prej një sërë faktorësh, një pjesë e të cilëve jashtë kontrollit të saj.
“Suksesi duhet parë nëse arrijnë të hyjnë në Parlament,” thotë ai, duke shtuar se kjo përbën “një sfidë të madhe për shkak të mungesës së kontrollit mbi procesin zgjedhor nga partitë e vogla” dhe atë që e quan “një lloj dorëzimi cinik të votuesve, të zhgënjyer nga përvoja e përsëritur politike”.
Por Nurellari vëren se, ashtu si për shumë forca të tjera të reja në këtë fushatë zgjedhore, mungon një përpjekje për të ndërtuar një ofertë programore të strukturuar dhe e sheh publikun të painformuar, çka sipas tij e bën të pamundur për t’i lëvizur nga vendi cinikët.
Projektorët drejt Shehajt
Përpos të qenit kryetari i partisë “Mundësia”, Agron Shehaj është figura më e njohur publike në këtë parti. Sipas Adri Nurellarit, ai dallohet në raport me figurat e tjera për shkak të së kaluarës së tij aktive në Parlament, qëndrimeve të forta dhe eksperiencës në biznes.
Megjithatë, Nurellari paralajmëron se përvoja e Shehajt dhe betejat e tij publike, janë pak për të krijuar një ofertë të besueshme politike.
“Agroni spikat, sepse ka një bilanc politik, por oferta e partisë si e tërë mbetet e cunguar,” tha Nurellari. “Nëse loja politike reduktohet vetëm në emra, ai ka një avantazh, por nuk mjafton,” shtoi ai.
Ndryshe nga Nurellari, Beqa e sheh si problem lidhjen e fortë të partisë me Shehajn, duke nënvizuar se partia duket më shumë si një lëvizje e personalizuar rreth një figure individuale, sesa një forcë politike e strukturuar.
“Si një parti shfaqet më tepër si një lëvizje e personalizuar, e ndërtuar rreth një figure individuale dhe e përqendruar kryesisht në diskursin kundër korrupsionit,” tha ai.
Beqa arsyeton se partitë e reja si kjo e kanë të vështirë të artikulojnë një profil të qartë ideologjik, veçanërisht në kontekstin e Shqipërisë, ku spektri politik është tradicionalisht i paqëndrueshëm dhe i mbushur me ambiguitet.
Sipas tij, “Mundësisë”, ashtu si edhe forcave të ngjashme, u mungon një vizion i qartë për të trajtuar krizën e thellë institucionale dhe mungesën e legjitimitetit që karakterizon sistemin politik në Shqipëri.
“Në mungesë të një diagnoze të qartë të problemeve, nuk mund të ketë as një alternativë të besueshme për reformë,” thotë ai.
Ndërsa thekson se potenciali i partisë “Mundësia” shihet te pasurimi i diskursit pluralist, Beqa shton se ky potencial mbetet i paplotësuar pa artikulimin e qëndrueshëm “të një projekti politik, që buron nga vlerat konservatore apo të djathta liberale”.