Sat, Apr 19, 2025

“Rusisë ia kam shlyer të gjitha detyrimet”, reagon Valiev pas skandalin në ceremoni: Respektova kuadrin e transferimit ndërkombëtar

  • PublishedApril 11, 2025

“Rusisë ia kam shlyer të gjitha detyrimet”, reagon Valiev pas skandalin në ceremoni: Respektova kuadrin e transferimit ndërkombëtar

 

Shqipëria shënoi rezultate të mëdha në Kampionatin Europian të mundjes që po mbahet në Sllovaki, ku Chermen Valiev fitoi medalje ari, ndërsa Zelimkhan Abakarov mori të bronztën. Por gjatë ceremonisë së medaljeve në vlerësimin e Velievit u shënua një incident i shëmtuar.

Mikhail Mamiashvili, presidenti i Federatës Ruse, njëkohësisht edhe zv.president i Federatës Botërore të Mundjes, ka shfaqur një sjellje skandaloze ndaj mundësit që i dhuroi medaljen e artë Shqipërisë. Mamiashvili i vendosi me vrazhdësi medaljen në qafë Chermen Valievit, ndërsa më pas e quajti atë tradhtar të atdheut. Duket se Mamiashvili nuk e ka kapërdirë dot humbjen që Valiev i shkaktoi sportistit më të mirë të Rusisë, Zaurbek Sidakov, të cilin kampioni kuqezi e mposhti në finalen e peshave 74 kg për stilin e lirë.

Pas kësaj ngjarje të shëmtuar kanë ardhur edhe reagimet e protagonistëve. Vetë Valiev ka rrëfyer incidentin e ndodhur gjatë ceremonisë: “Mikhail Mamiashvili më quajti tradhtar të atdheut. Isha i hutuar… Unë iu afrova atij, por organizatorët më morën”, tha Valiev në një prononcim për “Match TV”. Në vitin 2024, Valiev mori shtetësinë shqiptare, duke u bërë shumë shpejt në një hero për flamurin kuqezi, teksa fitoi medaljen e parë olimpike në histori për Shqipërinë, për tu shpallur së fundmi edhe kampion i Europës.

Veliev sqaron se gjithçka e ka bërë brenda çdo rregulli: “Kur u transferova për të garuar për një vend tjetër, respektova të gjithë kuadrin e një transferimi ndërkombëtar, gjithçka ishte firmosur zyrtarisht. Kam paguar një tarifë prej 5 mijë eurosh për federatën ndërkombëtare dhe 5 mijë euro për Federatën Ruse të Mundjes”, deklaron Chermen Valiev.


AlbaniaWeb.net