Mick Jagger fejohet në moshën 81 vjeçare me partneren e tij
Mick Jagger është fejuar me partneren e tij prej më shumë se 10 vitesh, Melanie Hamrick. 37-vjeçarja, e zbuloi lajmin në një intervistë me Paris Match. Kjo është fejesa e tretë e këngëtarit të Rolling Stones.
Jagger dhe Hamrick janë njohur në shkurt të vitit 2014, gjatë një koncerti të Rolling Stones në Tokio. Melanie, në atë kohë balerinë në trupën American Ballet Theatre, ishte 26 vjeç dhe ndodhej në backstage kur Jagger e përshëndeti për herë të parë.
Shtatë vjet më parë, ata u bënë prindër të një djali, të quajtur Deveraux.
“Mick është ndryshuar krejtësisht. Më herët kishte marrëdhënie të shkurtra dhe të shumta, por tani Melanie dhe Deveraux e shoqërojnë gjatë turneve. Ata janë gjithmonë bashkë, si një familje – dhe kjo e bën atë të lumtur,” – ka thënë një burim për mediat amerikane.
Melanie ka reaguar edhe ndaj kritikave për diferencën e madhe në moshë mes saj dhe këngëtarit të famshëm.
“Nuk e mendoj këtë gjë. Të gjithë kanë opinionin e vet. Nëse fillon të merresh me mendimet e të tjerëve, sado ku të jesh në jetë, do të kesh gjithmonë probleme,” – tha ajo për The Sunday Times.
Çifti aktualisht jeton mes dy vendeve, në një shtëpi me qira në New York dhe në një kështjellë në lumin Loire në Francë, ku edhe djali i tyre ndjek shkollën.