“S’mund të jesh pjesë e BE pa ujë dhe drita,”, Çupi: Rama po abuzon me Kodin Zgjedhor, besoj te Task Forca e SPAK
Deputetja e Partisë Demokratike dhe kandidatja në listën e hapur të Tiranës për zgjedhjet e 11 majit, Dhurata Çupi, ka akuzuar qeverinë Rama për propagandë të vazhdueshme dhe përpjekje për të deformuar realitetin gjatë fushatës elektorale.
Në një deklaratë për mediat, Çupi kritikoi ashpër premtimin e kryeministrit për anëtarësimin në BE, duke e quajtur të pabazuar dhe thjesht një mjet propagandistik:
“S’mund të jesh pjesë e BE pa ujë, pa drita, pa infrastrukturë dhe me një varfëri e keqqeverisje ekstreme. Karta e BE ka qenë një prej propagandave të Edi Ramës sepse nuk ka çfarë të thotë tjetër,” – u shpreh ajo.
Ajo rikujtoi premtimet e pambajtura të Ramës nga viti 2013, duke theksuar se ato mbeten ende probleme për qytetarët shqiptarë:
“Tha se do kishte ujë 24 orë dhe se legalizimet do përfundonin për një vit. Sot, këto janë ende ndër problemet më të mëdha për qytetarët dhe për garancinë e pronës.”
Çupi denoncoi gjithashtu shkeljet e Kodit Zgjedhor, duke theksuar se fushata është duke u zhvilluar në mënyrë të maskuar nga pushteti:
“Kodi Zgjedhor e ndalon propagandën qeverisëse me investime gjatë fushatës, por çdo ditë shohim Ramën dhe ministrat që ‘inspektojnë’ projekte dhe i shesin si arritje. Ky është abuzim i pastër me Kodin.”
E pyetur për qëndrimin ndaj veprimeve të SPAK në kuadër të zgjedhjeve, Çupi u shpreh optimiste:
“Jam e prirur të besoj te Task Forca e SPAK për zgjedhjet dhe krimin zgjedhor. Besoj se do ketë një efekt pozitiv për të mos lejuar deformimin e vullnetit të votuesve.”