Kosova/ Dukagjini dhe Suhareka ndajnë pikët në përballjen për mbijetesë
Xhiroja e 29-të në Albi Mall Superligën e Kosovës në futboll ka nisur të martën me përballjen ndërmjet Dukagjinit dhe Suharekës, e cila është zhvilluar në stadiumin “18 Qershori” në Klinë dhe ka përfunduar pa fitues (1:1).
Suhareka kaloi në epërsi që në minutën e 10-të me golin e Mevlan Zekës, pas një kundërsulmi të shpejtë dhe gjuajtje të saktë nga distanca. Por, reagimi i Dukagjinit ishte i shpejtë, pasi vetëm dhjetë minuta më vonë barazoi shifrat në 1:1. Goli i barazimit u shënua nga Faton Neziri, pas një situate të pazakontë. Portieri i Suharekës, Eurolind Avdimetaj, nuk arriti ta kontrollojë një top që në pamje të parë dukej i parrezikshëm, por për shkak të kushteve atmosferike dhe erës së fortë, topi përfundoi në rrjetë.
Pavarësisht përpjekjeve të të dy skuadrave për të gjetur golin e fitores, rezultati nuk ndryshoi deri në fund.
Pas këtij barazimi, Dukagjini mban vendin e shtatë me 36 pikë, ndërsa Suhareka mbetet në pozitën e nëntë me 33 pikë, sa ka edhe Llapi që renditet i teti, por me golaverazh më të mirë.
Xhiroja e 29-të vazhdon të mërkurën me dy ndeshje të tjera: Llapi – Feronikeli ’74 dhe Ferizaj – Malisheva, ndërsa të enjten zhvillohen dy super sfida tjera: Ballkani – Gjilani dhe Drita – Prishtina.