Sun, Nov 24, 2024

“A po shkojmë në tirani?”/ “Ligjet” miratuan projektligjin për zgjatjen e mandatit të Gjinushit, reagon Artan Fuga: Po shkelen ligjet dhe Kushtetuta

  • PublishedJune 19, 2023

Akademiku Artan Fuga ka reaguar në lidhje me miratimin e projektligjit për zgjatjen e mandatit të Kryetarit të Akademisë së Shkencave nga Komisioni i Ligjeve.

Në një postim në rrjetet sociale, Fuga ka deklaruar se projektligji shkel 15 ligje në fuqi, duke mos përjashtuar edhe Kushtetutën e vendit.

Ai ka shtuar se tashmë çështja nuk ngelet më vetëm mbi personin që drejton Akandeminë, por shkon më thellë duke vënë në dyshim vullnetin e këtij komisioni për të zbatuar ligjet.

Postimi i plotë:
Njoftim për mediat
Sot komisioni i ligjeve i Kuvendit të Shqipërisë, pa marrë asnjë ekspertizë, pa thirrur asnjë palë të interesuar, miratoi projektligjin e Petro Koçit për zgjatjen e mandatit të Kryetarit të Akademisë së Shkencave në kundërshtim me ligjin në fuqi.
Unë njoftoj publikisht zonjën Lindita Nikolla, kryetare e Kuvendit, kryetaren e komisionit të ligjeve, kryeministrin Rama, deputetët, se unë vërtetoj se ai projektligj shkel me dy këmbët 15 ligje në fuqi, shkel katër platforme ligjore, duke përfshirë edhe Kushtetutën e Shqipërisë.
Unë si qytetar vullnetarisht vihem në dispozicion të Kuvendit të Shqipërisë për ta vërtetuar këtë gjë!
Nuk është më çështje kryetarit të Akademisë së Shkencave, kjo është një vogëlsirë, por çështja është a ka aftësi dhe vullnet komisioni i ligjeve të respektojë ligjet!
Pyetja që po shtrohet është : A jemi më një shoqëri që vepron në bazë të ligjeve? Situata që shoh është e frikshme!
Kalimthi, para se të bëj të njohur se ku shkelen rëndë ligjet, kujtoj :
Ka shoqëri ku ligji bëhet me vullnet të përgjithshëm dhe quhet demokraci.
Ka shoqëri që ligjin e bëjnë pak veta, kundër popullit, por e zbatojnë. Kjo quhet diktaturë.
Ka shoqëri ku ligjin e bëjnë pakicat, por as ligjin që bëjnë vetë nuk e zbatojnë. Kjo quhet tirani.
A po shkojmë në Tirani?

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.