U shpall në kërkim për kultivim të kanabisit, përfundon në pranga 34-vjeçari në Kuçovë
Policia e Kuçovës ka arrestuar një 34-vjeçar të shpallur në kërkim tre ditë më parë, në kuadër të operacionit të koduar “Kultivimi”, që ka si synim vënien përpara drejtësisë të autorëve të një rasti të kultivimit të bimëve narkotike në fshatin Mendrak, në vitin 2021.
I arrestuari, E. M., banues në Tiranë, u kap si rezultat i hetimeve të koordinuara me Prokurorinë e Beratit dhe i kontrolleve të mbështetura në inteligjencën policore.
Sipas të dhënave zyrtare, 34-vjeçari dyshohet se ka vepruar në bashkëpunim me shtetasit Sh. H. (arrestuar më 13 maj 2025) dhe B. Ll., i cili vijon të jetë në kërkim. Ata akuzohen për kultivim të bimëve narkotike të llojit Cannabis Sativa në territorin e fshatit Mendrak.
Materialet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme procedurale.