Leku i fortë dhe rritja e normave të interesit, Banka e Shqipërisë me kapital negativ për herë të parë në 20 vjet
Forcimi i Lekut dhe rritja e normave të interesit në tregjet ndërkombëtare kanë vazhduar të japin një ndikim negative në bilancin e Bankës Qendrore.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, niveli negativ i rezervës së rivlerësimit në bilanc në fund të muajit maj ka arritur në -35.6 miliardë lekë, nga -26.9 miliardë lekë që kishte qenë në fund të vitit të kaluar.
Thellimi i pozicionit negativ të rezervës ka bërë që në muajin prill 2023 kapitali i Bankës së Shqipërisë të bjerë në vlera negative për herë të parë, të paktën për 20 vitet e fundit të mbuluara nga seria e statistikave. Në fund të muajit maj, kapitali i Bankës së Shqipërisë ishte negativ në vlerën e 2 miliardë lekëve.
Zhvillimet e lidhura me forcimin e Lekut dhe me zhvlerësimin e portofolit të titujve, nga rritja e normave të interesit, bënë që Banka e Shqipërisë ta mbyllte vitin e kaluar me një rezultat financiar negativ në vlerën e 17.65 miliardë lekëve dhe me humbje gjithëpërfshirëse në vlerën e 31.2 miliardë lekëve.
Ligji “Për Bankën e Shqipërisë” parashikon që Qeveria emeton tituj të borxhit me normë interesi të tregut për të mbuluar vlerat negative të rezervës së rivlerësimit. Sipas informacionit në bilancin e audituar të Bankës së Shqipërisë, besohet se qeveria shqiptare ka emetuar përsëri tituj boxhi për të mbuluar humbjet e reja Bankës së Shqipërisë, brenda muajit prill të këtij viti.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, u shpreh në një intervistë të dhënë disa muaj më parë për “Monitor” se humbjet në bilanc janë pasoja kalimtare dhe nuk e cenojnë aspak aftësinë e bankave qendrore për të përmbushur mandatin e tyre.
Ai nënvizoi se normalizimi i shpejtë i qëndrimit të politikës monetare në vitin 2022 solli rezultate financiare negative në bilancin e shumë bankave qendrore, si Banka Qendrore Europiane, Banka Qendrore e Gjermanisë, Banka e Anglisë, të bankave qendrore të rajonit, përfshi dhe Bankën e Shqipërisë, etj.
“Në praktikë, kjo dukuri ndodh në periudhat e rritjes së shpejtë të normës bazë të interesit, si pasojë e rënies së çmimit te letrave me vlerë që bankat qendrore mbajnë në bilancin e tyre në funksion të zbatimit të politikës monetare, ose në periudhat e forcimit të kursit të këmbimit, si pasojë e rënies së vlerës në monedhën kombëtare të rezervave valutore që bankat mbajnë në bilanc në funksion të mbështetjes së politikës monetare dhe të stabilitetit financiar. Në rastin e Shqipërisë, duket se të dy këta faktorë kanë kontribuuar në një rezultat financiar negativ për vitin 2022, si pasojë e thellimit të tepricave negative të Rezervave të Rivlerësimit të Valutave dhe të Titujve. Më konkretisht, rritja e normave të interesit në tregjet ndërkombëtare ka zhvlerësuar asetet e Bankës së Shqipërisë, pjesë të Rezervës Valutore për fundin e vitit 2022, ndërsa forcimi i kursit të këmbimit ka ulur kundërvlerën në lekë të rezervës tonë valutore,” tha Sejko.
Sipas tij, ndikimi i këtyre politikave në bilancin e Bankës së Shqipërisë prodhon edhe kosto kalimtare negative, por ato janë kalimtare, sepse burojnë nga parime kontabiliteti dhe jo humbje finale të aseteve. Këto kosto rikuperohen gradualisht me kalimin e kohës dhe riinvestimin e aseteve me norma më të larta interesi./Monitor/
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–