Burri iu vra një vit më parë para syve, mbrëmë i shpëtoi atentatit prej një ngatërrese/ Kush është Katerina Beqo, historia e vrasjeve tronditëse
Katerina Beqo, rreth 37-vjeç, është gruaja e Roan Brahimit, i cili u ekzekutua me armë zjarri në rrugën “Bajron” në Athinë më 9 maj 2024, ndërsa në makinë ishte edhe djali i çiftit.
Sipas dyshimeve të raportuara më herët në , Beqo ishte vendosur në shënjestër nga atentatorë ende të paidentifikuar, ndërsa mbrëmë u qëllua për vdekje vjehrri i saj. Jo shumë më vonë se vrasja e tij, një automjet Mercedes-Benz G Class në të cilin udhëtonin 4 të rinj, dy prej tyre të mitur u qëllua me breshëri plumbash në afërsi të Shkozës.
Besohet se ngatërresa ka ardhur për shkak se automjeti që përdor bashkëshortja e Brahimit është e njëjtë me atë që përdornin katër të rinjtë.
Për t’u rikthyer te vrasja e bashkëshortit të saj në Greqi, Beqo, e cila mbante me vete edhe fëmijën e mitur, pa me sytë e saj dy persona me veshje të errëta që iu afruan makinës me një motoçikletë dhe hapën zjarr në drejtim të bashkëshortit të saj.
Sipas hetimeve, autorët pritën momentin kur Brahimi do të parkohej për të ekzekutuar planin e tyre, ndërsa Beqo dhe fëmija dolën pa lëndime serioze nga automjeti.
Pas sulmit, policia greke njoftoi se Agjencitë Hetimore në Athinë janë duke hetuar si motiv kryesor larjen e hesapeve mes grupeve kriminale shqiptare.
Në dëshminë e parë për hetuesit, Beqo pranoi se nuk kishte menduar kurrë se bashkëshorti i saj do të vinte në Greqi, pasi Roan Brahimi e kishte surprizuar me ardhjen për festat e Pashkëve Ortodokse.
“Nuk dija gjë, nuk më kishte thënë që do të vinte. Erdhi të shtunën e Pashkës. Isha në makinë me të, por nuk mbaj mend çfarë ndodhi. Më pas dola nga makina”, rrëfeu 37-vjeçarja. Ajo po ashtu konfirmoi se gjithçka kishte ndodhur në sy të djalit të tyre të vogël. “Fëmija pa gjithçka. Tani po qëndron me mamin tim, ndërsa unë në shtëpi. Nuk jam aspak mirë”.
32-vjeçari Roan Brahimi kishte shkuar t’i merrte me makinë nga parku ku ndodheshin Beqo dhe djali i vogël, kur ndodhi ngjarja.