Krijuan kompani për të kryer veprime fiktive importi në favor të tregtarëve duke i shkaktuar shtetit një dëm 45.5 mln lekë, Prokuroria Tiranë dërgon në gjyq 4 persona
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka dërguar në gjyq katër shtetas për veprat penale ‘Mashtrimi’, ‘Fshehje e të ardhurave’ dhe ‘Moskallzim të krimit’. Hetimet kanë zbuluar se këta individë krijuan kompani për të realizuar veprime fiktive importi, duke shkaktuar një dëm prej 45.5 milionë lekësh ndaj shtetit.
Shtetasit S.M., Z.R., E.S. dhe P.K. krijuan subjekte tregtare për të shmangur detyrimet tatimore dhe për të furnizuar tregtarët me mallra pa faturë tatimore, duke përdorur “NIPT-e shëtitës”. S.M. ka përfituar drejtpërdrejt nga kjo veprimtari, ndërsa të tjerët vepruan fillimisht në mirëbesim, por më pas pranuan pagesa mujore dhe hapjen e kompanive në emër të tyre.
Veprimtaria e paligjshme ka sjellë një qarkullim prej 303.78 milionë lekësh dhe ka reduktuar taksat për të përfituar një dëm prej 45.5 milionë lekësh. Materialet u kaluan për veprime të mëtejshme në gjykatë.
PROKURORIA PRANË GJYKATËS SË SHKALLËS SË PARË TË JURIDIKSIONIT TË PËRGJITHSHËM TIRANË
Krijuan kompani për të kryer veprime fiktive importi në favor të tregtarëve të ndryshëm duke i shkaktuar shtetit një dëm 45.5 mln lekë, Prokuroria Tiranë dërgon në gjyq 4 persona
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq katër persona për veprat penale ‘Mashtrimi’, ‘Fshehje e të ardhurave’ dhe ‘Moskallzim të krimit’ të parashikuara nga nenet 143, 180/25 dhe 300 të Kodit Penal.
Në kuadër të hetimeve mbi procedimin penal nr.1695 të vitit 2024, rezultoi se shtetasit S.M., Z.R., E.S. dhe P.K. kanë krijuar tre subjekte tregtare për të kryer veprime fiktive importi në favor të tregtarëve të ndryshëm, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore dhe furnizimin me mallra pa faturë tatimore.
Këto subjekte, të cilat kanë funksionuar si të ashtuquajturat “NIPT-e shëtitës”, kanë qenë të regjistruara me të dhënat personale të shtetasve Z.R, E.S. dhe P.K., ndërkohë që veprimet reale janë kryer nga shtetasi S.M, i cili përfitonte në mënyrë të drejtpërdrejtë nga kjo veprimtari.
Nga hetimet e prokurorisë, rezultoi se shtetasi S.M. ka përdorur marrëdhënien e tij të besimit me tre individët e tjerë për të ngritur subjekte biznesi në emër të tyre dhe për t’i përdorur si mjete për të realizuar aktivitetin e paligjshëm. Ai ka përdorur metoda të ndryshme për të shmangur tatimet dhe taksat.
Ndërkohë që tre shtetasit e tjerë, të akuzuar për veprën penale ‘Moskallëzim krimi’ fillimisht kanë vepruar në mirëbesim, por më pas kanë pranuar pagesa mujore dhe kanë pranuar hapjen e kompanive në emër të tyre.
Këto subjekte kanë kryer një qarkullim në vlerën 303,781,520 lekë, duke rritur shpenzimet për të ulur normën e tatim fitimit në vlerën 45,567,228 lekë, vlerë e cila konsiderohet si dëm ndaj shtetit.
Në përfundim të hetimeve, është provuar se veprimtaria kriminale përfshin elementët e veprave penale:
- “Fshehje të Ardhurash në bashkëpunim” – neni 180/25 i Kodit Penal
- “Moskallzim i Krimit” – neni 300 i Kodit Penal
- “Mashtrimi”-neni 143 i Kodit Penal.
Organet e drejtësisë mbeten të angazhuara maksimalisht në goditjen e fenomeneve që cenojnë integritetin ekonomik dhe sistemin tatimor të vendit.