“Roshi i madh dhe Roshi i vogël”, Spiropali ironizon ish-kryebashkiakun e Kavajës dhe opozitën: Kur janë me ne, i quajnë kriminelë; kur zhyten në kënetë, i shesin si të pastër!
Në takimin e kryeministrit Edi Rama me gratë e vajzat e Kavajës, zhvilluar paraditen e sotme në pallatin e kulturës “Mustafa Krantja”, drejtuesja politike e qarkut Tiranë Elisa Spiropali shigjetoi opozitën dhe ish-kryebashkiakun socialist, Elvis Roshi pasi një i afërm i tij kandidon për deputet me listat e PD.
Spiropali u shpreh se kur ai kandidonte për PS-në konsiderohej kriminel, ndërsa sot që i përket radhëve të opozitës vlerësohet si i pastër.
“Vajzat e gratë e Kavajes nuk duan të kthehen në gropë dhe në kënetë, por ta çojmë Shqipërinë në Bashkimin Europian, që qytetarët shqiptarë me Pasaportën Europiane, pasaportën e dinjitetit, të bëhen të të barabartë me qytetarët europiane.
Aleanca e vjeturinave na paska nxjerrë nga gropa një kandidat me mbiemrin Roshi. Roshi i madh dhe Roshi i vogël. Kur janë me ne, i quajnë kriminelë; kur zhyten në kënetë, i shesin si të pastër!
Më 11 maj japim shembullin e fortë që gratë e Kavajës do të votojnë për numrin 5 PS dhe Ramën.
Më 11 Maj gratë dhe vajzat e Kavajës do e thajnë kënetën, do i prijnë fitores.
Zgjedhja sot është e qartë: O me interesin kombëtar, o për hallin e një njeriu të vetëm; o me Shqipërinë, o me hallin e një familjeje të vetme; o me Ramën në Europë, o me ata e në gropë.
Ne nuk luftojmë për pushtet, qeverisja jonë është një mjet për t’u shërbyer shqiptarëve. Bashkë me gratë dhe vajzat e Kavajës, do ta nxjerrim Kavajën në krye të vendit”, u shpreh Spiropali.
()