Mon, Nov 25, 2024

Në prag të largimit nga Shqipëria/ Presidenti Begaj takim me ambasadoren Kim: Mbështetje në luftën kundër korrupsionit dhe avancimin e reformës në drejtësi

  • PublishedJune 20, 2023

Presidenti i Republikës Bajram Begaj, priti sot në një takim Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim, me rastin e përfundimit të misionit të saj diplomatik në vendin tonë.

Presidenti Begaj e falënderoi ambasadoren Kim për kontributin e dhënë në forcimin e gjithanshëm të marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë gjatë mandatit të saj në Shqipëri.

Gjithashtu Presidenti vlerësoi rolin dhe angazhimin e ambasadores Kim në avancimin e reformës në drejtësi, në forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë, si edhe të luftës kundër korrupsionit e krimit të organizuar.

Kreu i Shtetit vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë të Ambasadores Kim me institucionet shqiptare për nxitjen dhe koordinimin e bashkëpunimit mes agjencive të specializuara të dy vendeve për çështjet e mbrojtjes dhe të sigurisë, me fokus të veçantë në atë kibernetike.

Presidenti Begaj falënderoi Ambasadoren Kim për angazhimin e saj në rritjen e shkëmbimeve tregtare mes vendit tonë dhe SHBA-së, por edhe për rritjen e aktivitetit të bizneseve amerikane në Shqipëri. Duke çmuar marrëdhëniet e ngushta e njerëzore që Ambasadorja krijoi me shqiptarët në të gjitha krahinat e vendit, si dhe duke i uruar suksese në detyrat e angazhimet e ardhshme profesionale, Presidenti Begaj shprehu besimin se Ambasadorja Kim do të mbetet një mike e mirë e shqiptarëve dhe gjithmonë e mirëpritur në Shqipëri.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.