Komisioneri kërkon hetime në Kolegj për statusin e Majlinda Andreas
Komisioneri Publik, Florian Ballhysa ankimoi të martën më 20 qershor vendimarrjen e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për shkarkimin nga detyra të ish-gjyqtares së Gjykatës së Lartë, Majlinda Andrea, e cila nuk e ushtron funksionin prej vitit 2016, kur u akuzua për korrupsion dhe u dënua një vit më vonë me 4 vjet burg, por që u konvertua në shërbim prove.
KPK konstatoi se institucionet e drejtësisë, për gjashtë vite radhazi nuk kishin ushtruar kompetencat e tyre për t’i hequr Andreas statusin e magjistratit dhe vendimarrja për ta shkarkuar u konsiderua si një mënyrë për të zgjidhur përfundimisht statusin e saj të magjistratit.
Por Komisioneri Ballhysa e cilëson të gabuar arsyetimin e Komisionit dhe vlerëson se ushtrimi i kompetencës kushtetuese nga ana e institucioneve të vetingut të magjistratëve në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe ligjore për funksionimin e duhur të shtetit të së drejtës, është detyrim që duhet të duhet të reflektohet nga ata vetë të parët.
Nga hetimi i kryer prej Komisionit, ka rezultuar se pas dënimit të Andreas, ish-Kryetari i Gjykatës së Lartë i është drejtuar Presidentit të Republikës dhe Ministrit të Drejtësisë për të filluar procedurat për deklarimin e përfundimit të mandatit të saj. Kjo kërkesë i është kaluar për kompetencë ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë, por ky i fundit ka vendosur në korrik të vitit 2017 të mos e miratojë kërkesën e ish-kryetarit të Gjykatës së Lartë dhe është propozuar që të kalohet për shqyrtim në institucionin e Presidentit të Republikës.
Ky institucion ka informuar Komisionin se korrespondenca e fundit lidhur me këtë procedurë mban datën 3 gusht 2017, ndërsa Inspektori i Lartë i Drejtësisë, ILD ka sqaruar se nuk rezulton të ketë nisur hetim disiplinor apo të ketë paraqitur kërkesë për procedim disiplinor pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Komisioni konsideroi se në kushtet kur ligji ka parashikuar se dënimi penal i gjyqtarëve dhe prokurorëve është shkak për mbarimin e statusit të magjistratit, kjo pasojë sjellë dhe shkakrimin nga detyra.
“…Duke qenë se subjekti është dënuar për kryerjen e një vepre penale të rëndë, vlerëson se gjendet në kushtet e cenimit të rëndë të besimit të publikut, në këndvështrim të nenit 61, pika 5 e ligjit nr. 84/2016 dhe, për pasojë, duhet të marrë masën e shkarkimit”, ka konkluduar KPK.
Duke ju referuar situatës faktike dhe ligjore në rastin e ish-gjyqtares Andrea, Komisioneri Ballhysa nënvizon se ligjvënësit janë treguar të kujdesshëm që në ndryshimet kushtetuese të përcaktonin që institucionet e rivlerësimit, ushtrimin e kompetencës së tyre kushtetuese, ta kryenin në harmoni të plotë me institucionet e reja të qeverisjes së sistemit të drejtësisë. “…Këto të fundit, nuk pengoheshin të përmbushnin detyrimet e tyre kushtetuese apo të ishin në kushtet e mbivendosjes së kompetencave, lidhur me procesin disiplinor ndaj magjistratëve në Republikën e Shqipërisë, gjatë ecurisë së mandatit të funksionimit të institucioneve të rivlerësimit”, vëren Ballhysa dhe shton se Kushtetuta, shprehimisht, ka parashikuar se “moskalimi me sukses i procesit të rivlerësimit përbën shkak për mbarimin e menjëhershëm të ushtrimit të detyrës nga ana e magjistratit, krahas shkaqeve të parashikuara në Kushtetutë”.
“Ky formulim i qartë i kësaj dispozite, u krijon mundësinë të dy juridiksioneve disiplinore, atij të jashtëzakonshëm (institucioneve të rivlerësimit kalimtar) dhe atij të zakonshëm (Inspektor i Lartë i Drejtësisë, Këshilla) të funksionojnë njëkohësisht në ushtrim të kompetencës përkatëse kushtetuese”, arsyeton Komisioneri Publik dhe e cilëson si procedurë automatike veprimin e ILD-së për të kërkuar në këshilla shkarkimin e magjistratëve të dënuar penalisht me vendim të formës së prerë.
Ballhysa sjell në vëmendje jurisupudencën e Kolegjit që përcakton se në rastin e dënimit të magjistratëve me formë të prerë për kryerjen e një krimi, duhet të konkludohet me një vendim konstatues të ndërprerjes pa vendim përfundimtar të procesit. Në rastin e Andreas, Komisioneri Publik konstaton se Komisioni duke interpretuar Kushtetutën në mënyrë të gabuar, ka konsideruar se Andrea gëzon statusin e magjistratit e për rrjedhojë edhe të subjektit të rivlerësimit kalimtar.
I gabuar cilësohet në ankim edhe intepretimi i dispozitave të Aneksit të Kushtetutës dhe ligjit të vetingut të magjistratëve, ku Komisioni ka bazuar përfundimin e tij se dënimi i Andreas është shkak që lejon shqyrtimin në themel të procedurës së rivlerësimit për ish-gjyqtaren dhe lejon shkarkimin nga detyra për cënim të besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë.
Sipas Ballhyës, ushtrimi nga ana e Komisionit i kompetencës kushtetuese së kryerjes së procesit të rivlerësimit duke sjellë shkarkimin e magjistratit të dënuar, nuk mund dhe nuk duhet të zëvendësojë ardhjen e pasojës, për shkak të mosveprimit të ILD-së dhe KLGJ-së, të cilët Kushtetuta i detyron të veprojnë në rastin konkret.
Në ankim thuhet se KPK ka pasur mundësinë që të verifikonte dhe të hetonte, në vazhdimësi, shkaqet që kanë sjellë mosveprimin e ILD-së dhe KLGj-së për të ushtruar kompetencën e tyre kushtetuese të kryerjes së hetimit dhe procedimit disiplinor me qëllim shkarkimin e Andreas.
Komisioneri Publik çmon se juridiksioni kontrollues dhe rivlerësues i Kolegjit, do të duhet të ushtrohet pikërisht për të hetuar se cilat kanë qenë shkaqet e prezumuara ligjore, që kanë sjellë si pasojë mosveprimin e këtyre institucioneve.
Sipas Ballhysës, në rast se pas hetimit nga ana e Kolegjit, do të rezultojë se institucionet e juridiksionit të zakonshëm disiplinor kushtetues e kanë përmbushur detyrimin e tyre kushtetues dhe se është dhënë masa disiplinore e shkarkimit nga detyra për Andrean, procesi i rivlerësimit ndaj saj do të duhet të deklarohet i përfunduar, pa një vendim përfundimtar.
Po ashtu, Komisioneri vlerëson se edhe nëse rezulton se ILD dhe KLGJ janë ende në kushtet e mosveprimit, do të duhet sërish që procedura e vetingut të deklarohet e përfunduar, pa një vendim përfundimtar, për shkak të humbjes së statusit të magjistratit.