Brdariç dhe Balaj “bëjnë me krahë” tifozët shkodran: Duam finalen e Kupës dhe titullin
Dinamo dhe Vllaznia do të sfidojnë njëra tjetrën të mërkurën në “Elbasan Arena” për të kërkuar finalen e madhe të Kupës së Shqipërisë. Çdo gjë do të nis nga barazimi 0-0 i fiksuar në “Loro Boriçi” më 2 Prill, aty kur u luajt akti i parë i gjysmëfinales. Të dyja skuadrat janë në garë për dy vendet e para edhe në kampionat, aty ku ndahen vetëm me 1 pikë nga njëra tjetra.
Situata për ekipin e Ilir Dajës nuk është ndër më të mirat, pasi nëndetësja vjen në këtë sfidë, pas dy humbjeve radhazi në kampionat, ndaj Vllaznisë dhe Laçit.
Ndërkohë tek shkodranët mbizotëron më shumë besim dhe entuziasëm, kjo edhe pas fitores në sfidën e dy javëve më parë kur shkodranët triumfuan me shifrat e thella 3-0 ndaj dinamovitëve.
Megjithatë kupa ka një tjetër specifikë dhe këtë gjë e di mjaft mirë tekniku Thomas Brdariç, që vlerëson maksimalisht Dinamon, por theksoi se skuadra e tij do të kërkojë finalen:
“Është koha të marrim atë se çfarë kemi punuar gjatë gjithë sezonit, kemi një vazhdimësi të mirë, përballja me Dinamon do të jetë në maksimum. Ndeshja e para përfundoi 0-0 në shtëpinë tonë, ndaj duhet të jemi sa më të fokusuar. Këtë sezon jemi takuar disa here me Dinamon, Daja është një trajner me eksperiencë, është ndeshje e luftuar për të dy. Tifozët kanë mundësi për të ëndërruar, ne punojmë për ëndrrën e tyre dhe tonën bashkë”.
Ndërkohë lidhur me sfidën ndaj Dinamos pranë teknikut kroat ishte edhe sulmuesi Shkodran Bekim Balaj, i cili theksoi se objektivi i Vllaznisë do të jetë padyshim finalja e kupës:
“Dueli me Dinamon do të luhet si finale, i ka të gjitha rezultatet brenda, përqëndrimi do të jetë maksimal, vijmë në gjendje të mirë psikologjike, pasi jemi në vendin e dytë dhe jemi gati të japim më të mirën tonë. Kupa është një specifikë tjetër, jemi përballur me Dinamon dhe kemi bërë ndeshje të mira edhe pse rezultattet nuk kanë qenë aq favorizuese, por jemi para Dinamos në “Final Four” dhe shpresoj të dalim ashtu edhe në Kupë. Titulli? Nuk është vetëm ëndrra ime por e gjithë Shkodrës, por kemi akoma rrugë por duhet të rrimë me këmbë në tokë dhe të vazhdojmë përpara. Luajmë maksimalisht për të bërë më të mirën”.
Kjo do të jetë ndeshja e 6 që Dinamo e Vllaznia do të sfidojnë njëra tjetrën këtë sezon, me Dinamon që ka fituar 2 ndeshje, shkodranët 1 ndërsa 2 sfida janë mbyllur në barazim