Rikthim me vlerë në sulm, por Buxhelaj rrezikon të mungojë/ Ja situata te Partizani
Prej dy ditësh Partizani ka nisur stërvitjen për një nga ndeshjet më vendimtare të këtij sezoni. Në një pozitë kur katërshja është më në rrezik se kurrë dhe titulli duket shumë i vështirë, Kupa bëhet kryefjalë për Partizanin dhe merr rëndësi primare.
Të kuqtë kanë fituar gjysmëfinalen e parë në Rrogozhinë me shifra minimale dhe tashmë i duhet të mbrojnë atë triumf në një betejë vendimtare në “Arenën e Demave”. Rëndësia e kësaj ndeshjeje është ndoshta po aq e madhe edhe sa ajo pasardhëse kundër Elbasanit.
DËMTIMET – Në kushtet kur Atanaskoski ka pasur probleme sa i përket dëmtimeve dhe formës dhe nuk është ende në nivelin e tij të zakonshëm, Gega ka vendosur të mbështetet te Buxhelaj, i cili ka arritur ta justifikojë besimin dhe të jetë në nivelin e kërkuar.
Por kundër Egnatias i riu mund të mungojë. Në pushimin mes pjesëve vlonjati ka reklamuar një ngacmim muskulor dhe Gega vendosi ta zëvendësonte. I riu po kryen terapi dhe do të shpresojë deri në fund të luajë kundër Partizanit, në një kohë kur edhe Domgjoni pritet të mungojë, pasi ende nuk është rikuperuar plotësisht. Kujtojmë se edhe Zeka nuk do të jetë i disponueshëm për shkak dëmtimi dhe kthehet pas afro një muaji.
RIKTHIMI – Lajmi i mirë është rikthimi i Albers Kekos. Lushnjari ishte i pezulluar në ndeshjen kundër Bylisit dhe mungesa e tij u ndje jo pak. Tashmë ai është në dispozicion të trajnerit Gega dhe gati për të kontribuar nga minuta e parë.
Nisur nga problemet, por edhe lajmet e mira, pritet që formacioni të pësojë ndryshime në këtë ndeshje kundër rrogozhinasve. Në vend të Buxhelajt, pritet që Gega të detyrohet të aktivizojë Atanaskoskin, ndërsa në sulm i sigurt është rikthimi i Kekoës. Ka dyshim edhe në portë, ku në ndeshjen e kaluar në Kupë luajti Alban Hoxha.