E BUJSHME/ Real Madrid bëhet gati të bojkotojë finalen e Kupës! Anulon stërvitjen e konferencën, komunikatë kundër gjyqtarëve
Real Madrid po bëhet gati të hedhë një hap që do të bëjë padyshim bujë në të gjithë botën. Klubi madrilen ka përshkallëzuar qëndrimin kundër gjyqtarëve që sipas tij janë duke drejtuar në mënyrë të qëllimshme në dëm të “los blancos”.
Madrilenët kanë kërkuar zyrtarisht ndryshimin e gjyqtarëve të sfidës ndaj Barcelonës, sidomos pasi ata u shfaqën sot në konferencë për mediat dhe folën kundër videove të publikuara nga klubi në fjalë në televizioni e tij, ku rreshtoheshin gabimet e “xhaketave të zeza”.
Kësisoj, Reali vendosi fillimisht të mos merrte pjesë në asnjë nga aktivitetet zyrtare të organizuara nga Federata Spanjolle e më pas, anuloi konferencën dhe stërvitjen e zakonshme. Në vijim, erdhi edhe një komunikatë për shtyp ku bëhet e qartë se po përgatitet për masa ekstreme nëse nuk ndërrohen gjyqtarët e sfidës.
“Real Madrid i konsideron si të papranueshme deklaratat publike të bëra sot nga gjyqtarët e caktuar për Finalen e Kupës së Mbretit, e planifikuar të luhet nesër, më 26 prill 2025.
Këto deklarata, të cilat çuditërisht kanë përqendruar vëmendjen te videot nga një media e mbrojtur nga liria e shprehjes, siç është Real Madrid TV, të kryera qëllimisht 24 orë më parë kundër njërit prej pjesëmarrësve në finale, tregojnë, edhe një herë, kundërshtinë dhe armiqësinë e qartë dhe të dukshme të këtyre gjyqtarëve ndaj Real Madridit.
Deklarata edhe më të habitshme, me një ton kërcënues, duke aluduar në unitetin e gjyqtarëve, njoftuan masa ose veprime të supozuara që bien shumë larg parimeve të barazisë, objektivitetit dhe paanshmërisë që duhet të mbizotërojnë vetëm disa orë para një ngjarjeje futbolli që tërheq vëmendjen e qindra miliona njerëzve në të gjithë botën.
Duke pasur parasysh seriozitetin e asaj që ndodhi, Real Madrid shpreson që ata që janë përgjegjës në Federatën Spanjolle dhe institucionin e arbitrimit, të veprojnë, duke miratuar masat e nevojshme për të mbrojtur prestigjin e institucioneve që përfaqësojnë”, shkruhet në komunikatën e Realit.
Mediat spanjolle bëjnë të ditur se Reali ka refuzuar që të ketë takime me përfaqësues të Federatës apo gjyqtarëve rreth kësaj çështje.
()