Vota e diasporës, kreu i KQZ, Celibashi: Rreth 22% e fletëve janë kthyer në Shqipëri
Procesi i votimit për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit është në zhvillim, ndërsa deri në orën 16:20 të së sotmes janë regjistruar 193,823 zarfe të marra nga zgjedhësit e diasporës, të cilët kanë aplikuar për të votuar në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Sipas kryekomisionerit Ilirjan Celibashi, “rreth 22% e zarfeve të dërguara tashmë janë kthyer në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ)”. Konkretisht, bëhet fjalë për 55,761 zarfe të mbërritura.
Votuesit jashtë Shqipërisë mund të plotësojnë dhe të dërgojnë fletën e votimit me postë deri në javën e parë të majit. Çdo votë që mbërrin pas datës 11 maj, ora 19:00, do të shpallet e pavlefshme.
Administrimi dhe numërimi i votave të diasporës po kryhet në Pallatin e Sportit “Feti Borova”, pranë Parkut Olimpik në Tiranë, ku janë përgatitur edhe fletët e votimit për zgjedhësit jashtë vendit.