Mon, Apr 28, 2025

“Diaspora sjell një mandat më shumë për PS në Tiranë”, Kodheli: Xhelozia dhe tensionet brenda llojit nuk mungojnë. Ja problemi me Kodin Zgjedhor

  • PublishedApril 28, 2025

Kandidatja për deputete e Partisë Socialiste në Tiranë, Mimi Kodheli, ka komentuar situatën politike dhe fushatën zgjedhore në një intervistë për “News24”, ndërsa vendi i afrohet zgjedhjeve të 11 majit.

Ajo theksoi rëndësinë e leximit të drejtë të votës, përtej çështjeve të Kodit Zgjedhor.

“Nuk është i rëndësishëm Kodi Zgjedhor, por mënyra si lexohet vota. Ka abuzime, ka votim familjar, ka përpjekje për të ndikuar votuesin pa u fokusuar tek vlerat e kandidatëve apo të forcave politike,” deklaroi Kodheli.

Një nga risitë që ajo vlerësoi si pozitive ishte pjesëmarrja e diasporës në këto zgjedhje. Sipas Kodhelit, vota e shqiptarëve jashtë vendit do të ndikojë ndjeshëm në rezultat, duke parashikuar se ajo do t’i sjellë një mandat më shumë Partisë Socialiste në kryeqytet.

Në lidhje me garën në listën e hapur të kandidatëve, Kodheli pranoi se brenda forcave politike ekziston xhelozi dhe konkurrencë, por e cilësoi këtë si normale në një proces zgjedhor. “Ka gjithmonë interesa të ndryshme brenda forcave politike. Është një proces që e marr me qetësi dhe që kalon lehtësisht,” u shpreh ajo.

Kodheli shtoi gjithashtu se, ndonëse sistemi aktual zgjedhor nuk është perfekt për maksimizimin e votave, sfida kryesore mbetet respektimi i ligjit dhe menaxhimi i procesit në mënyrë korrekte.

Në përfundim, kandidatja e PS theksoi se java e fundit e fushatës duhet t’i kushtohet menaxhimit të punës së kryer deri tani, për të garantuar një pjesëmarrje sa më të gjerë të qytetarëve në votime.

“Është ngritur një mini-infrastrukturë për të mundësuar pjesëmarrjen dhe tani duhet ta menaxhojmë me përgjegjësi,” përfundoi Kodheli.


AlbaniaWeb.net