Tiranë/ Morën peng të moshuarin dhe kërkuan 20 mln lekë për lirimin e tij, përfundon në pranga grupi i rrëmbyesve
Policia e Tiranës ka zbardhur dhe goditur një rast rrëmbimi dhe shantazhi ndaj një qytetari 68-vjeçar, ngjarje që ndodhi më 29 prill në kryeqytet.
Pesë persona janë arrestuar, pasi u provua se kanë rrëmbyer të moshuarin dhe kanë kërkuar 20 milionë lekë të vjetra në këmbim të lirimit të tij.
Të arrestuarit janë:
S. S., 31 vjeç,
K. S., 21 vjeç (vëllai i S. S.),
I. M., 21 vjeç,
B. I., 57 vjeç,
N. B., 32 vjeçe,
Sipas hetimeve, tre prej tyre – S. S., K. S. dhe I. M. – e kanë marrë me forcë shtetasin E. A., 68 vjeç, në rrugën “George W. Bush” dhe e kanë mbajtur peng në një banesë të braktisur në fshatin Kakunjë. Më pas kanë telefonuar bashkëshorten e tij, të cilën e kanë kërcënuar për jetën e bashkëshortit, duke i kërkuar shumën prej 20 milionë lekësh të vjetra. Shuma i është dorëzuar shtetasit B. I. në zonën e Saukut.
Gjatë kontrolleve në banesa dhe në një automjet të përdorur nga S. S. dhe N. B., u sekuestruan 1 746 000 lekë, të dyshuara si të përfituara nga shantazhi.
Materialet për këtë rast janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vazhdojnë për të zbuluar nëse grupi ka qenë i përfshirë edhe në ngjarje të tjera të ngjashme.