Aksioni i policisë te MEK, Berisha tregon marrëveshjen që bëri me DASH: Kisha 4 kërkesa që u plotësuan, narkoshteti bëri reprezalje në Manzë
Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar sërish sot për aksionin ndaj kampit të muxhahedinëve një ditë më parë në Manzë, ku një person humbi jetën dhe disa u plagosën.
Duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar, Berisha iu rikthye edhe marrëveshjes që ka bërë qeveria e drejtuar prej tij kur mori grupin e parë të muxhahedinëve.
Pjesë nga fjala e Berishës
Narkoshteti shqiptar gjeti ditën e refugjatëve për këtë reprezalje. Përmasat e të cilës sipas mediave janë krejt të tjera nga ato që thonë Çuçi dhe Rumbullaku. Mediat informojnë për gjymtyrë të thyera të cilat nuk mund të ndodhnin kurrë me sprej, për koka të çara, për plagosje të rënda. Pra një brutalitet dhe një dhunë e egër e dënueshme, e papranueshme. Kërkesës së Departamentit të Shtetit, gjatë një vizite që unë bërë në Uashington, për të marrë dhe strehuar në Shqipëri muxhahedinët, unë i dhashë këtë përgjigje: së pari, po, do marrim një kontingjent pilot për të parë si po ecën sistemi dhe qëndrimi i tyre. Gjatë kohës sime kërkesa ishte që të hiqeshin nga lista e grupit terrorist. Kërkesa tjetër ishte që në Shqipëri do vinin nën ombrellën e OKB. Ata duhet të gëzonin të gjithë të drejtat e njerëzve refugjatë, të përcaktuara nga konventat ndërkombëtare dhe mbrojtjen e tyre. Autoritetet e SHBA-ve i kanë pranuar këto kërkesa.
Gjatë periudhës që negociuam dhe i sollëm, nuk parashikohej ngritja e një kampi. Alternativa jonë ishte marrja me qira e banesave në zona të ndryshme të Tiranës dhe asistenca për jetën e tyre normale si mysafirë që do ishin. OKB-në e thirrëm për kuadrin e të drejtave të tyre. Kërkesë tjetër ishte që nga territori i Shqipërisë nuk mund të zhvillohej veprimtari në dëm të një shteti tjetër. Ata e kishin pasur etiketën “grup terrorist”. Ne nuk mund të pranonim që veprime të armatosura të nisura nga territori i Shqipërisë të kryheshin nga grupi i muxhahedinëve.
Më vonë qeveria mori edhe 2800 të tjerë. Ata blenë tokën në Manzë, Edi Rama firmosi lejen e ndërtimeve dhe kampit të tyre. Muxhahedinët janë fronti i Rezistencës Kombëtare të Iranit, një organizatë politike, nuk janë organizatë humanitare. Kanë organizimin e tyre në Europë, në Iran dhe më gjerë. Se cilat janë kushtet që ka vendosur qeveria me ata, nuk e publikojnë marrëveshjen. Di që ombrella e OKB-së ka vazhduar. Organizata e refugjatëve e SHBA-ve i ka nën mbikëqyrje. Nuk po ndalem në aktet e rezistencës së tyre, por këta kanë luftuar me të gjitha mundësitë kundër Shahut dhe kanë vazhduar betejën kundër Ajatollahëve.
Ajo që ndodhi dje ishte një akt i shëmtuar, jo se qeveria shqiptare nuk ka të drejtë të ushtrojë kontroll. Kjo nuk diskutohet. Por të dyndësh me mijëra policë dhe të vritet tjetri e të thuhet se nuk ka viktima, tu thyesh këmbë e duar dhe të thuash nuk është përdorur dhunë, këto janë shumë të rënda. Ju i dëgjuat dje motivet. Njeri thoshte po merren me politikë dhe kanë publikuar gazetë. Çfarë krimi është publikimi i gazetës?
Autorët e dhunës duhet të dalin para gjyqit. Të gjitha këto kërkojnë një hetim. Një hetim ndërkombëtar, në mënyrë të veçantë një hetim nga OKB që i ka në mbikëqyrje. Gjithashtu, autorët e dhunës duhet të dalin përpara gjyqit. Si u vra ai që vdiq? Ata që kanë thyer kocka të refugjatëve, duhet të përballen me ligjin. Se thanë spraj, por spraji nuk thyen kocka. Në njoftimin e DASH ka një element të rëndësishëm që vetë këta shkelin të drejtat e njeriut. Edhe kjo duhet të jetë pjesë e hetimit të OKB-së. Nuk mund të përdoret kampi i strehimit për të mohuar të drejtat e njerëzve që nuk bien dakord. Ai duhet të jetë kamp që respekton të gjitha liritë dhe të drejtat e banorëve të kampit.
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–