Sun, Nov 24, 2024

“Ndarja ka ardhur nga individët, rikthimi i Bashës do sjellë humbje”, aktivisti: Në zgjedhjet e PD po bëhen lëvizje skematike

  • PublishedJune 21, 2023

Aktivisti politik, Ardian Isufi, i ftuar në studion e rubrikës “Opinion” në News24 ka komentuar situatën brenda Partisë Demokratike pas zhvillimeve të fundit rreth kësaj force politike.

Isufi deklaroi se përçarja e PD-së ja ardhur nga individët, duke drejtuar gishtin nga ish-kryeministri Berisha dhe Lulzim Basha.

Sa i përket këtij të fundit, ai deklaroi se Basha po tenton sërish të marrë PD-në e vulës dhe se ndarja e fundit brenda kësaj force politike ka ndodhur pikërisht për ardhjen e tij në krye.

Isufi u shpreh po ashtu se rikthimi i Bashës nuk do sillte asgjë të re dhe se ai së bashku me Berishën duhet të ishin dorëhequr për t’i lënë hapësirë një alternative të re.

Sakaq, ai shtoi më tej se në zgjedhjet për zgjedhjen e kryetarit të ri të PD-së po bëhen “lëvizje skematike”.

“Përçarja e Partisë Demokratike ka ardhur në një moment shumë të rëndë ku e djathta dhe PD nuk frymëzojnë më. Basha po tenton të marrë sërish PD-në e vulës. Një nga problemet themelore është se nuk dihet anëtarësia në këto palë, dhe nga këtu nis edhe manipulimi i votës. Flitet për këto Këshillat Kombëtarë. Kuptohet se ky zhvillim po bëhet që të vijë Basha në krye të PD-së së vulës.

Është shumë e qartë se një pjesë e vogël e PD-së kërkon të vijë sërish Basha që të jetë në shërbim të një grupi të vogël dhe jo shoqërisë shqiptare. Sot nuk ka më nevojë për Parti Demokratike. E djathta kërkon një alternativë të re. Rikthimi i Bashës nuk do sillte asgjë të re, pasi në zgjedhje do kishte sërish humbje të votës së demokratëve. Duhet të kishte një dorëheqje të Berishës dhe Bashës së bashku. E gjitha po ndodh për interesa personale të dy grupimeve që nuk kanë më çfarë i japin PD-së.

Përmes këtij mediokriteti të PD-së PS-së dhe Ramës po i dhurohet pushteti. Pozita përfiton shumë nga kjo luftë e brendshme, pasi opozita nuk merret me problemet e rëndësishme, por me këtë luftë provinciale. Duhet të kishte një frymë të re, për të ardhur personazhe të reja në parti. Po të shohim edhe kushtet e vendosura për kryetarin, nuk i jepet hapësirë prurjeve të reja.

Unë mendoj se gjithë këto lëvizje janë skematike për zgjedhjen e kryetarit. Ka emra që bëjnë sikur, për të legjitimuar zgjedhjet. Shoqëria sot ka avancuar dhe kjo klasë politike po e mban peng. Individi po ecën me shpejt se kjo strukturë politike nga të dyja kahet. Të gjithë flasin për Evropën, por ka kontradiktë me realitetin. Alternativa e re duhet të jetë larg PD-së. Shoqëria nuk mund të mbahet peng nga disa njerëz të ezauruar politikisht”, u shpreh ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.