Dështon seanca e 8-të për gjyqtarin Sami Ujkashin në KLGJ
Këshilli i Lartë Gjyqësor, KLGJ vendosi të mërkurën më 21 qershor të shtyjë për të tetën herë seancën dëgjimore për shqyrtimin e kërkesave të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për fillimin e procedimeve disiplinor ndaj gjyqtarit të Kukësit, Sami Ujkashi. Ndryshe nga shtatë herët e mëparshme kur shtyrjet janë bërë bazuar në raportet mjekësore për paaftësi për punë të depozituara pranë KLGJ-së nga Ujkashi, të mërkurën ai e justifikoi mosprezencën e tij me një dokument sipas të cilit do të paraqitej në mesditë në Komisionin Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë, KMCAP-in e Shkodrës, pas një aplikimi që ka kryer për të përfituar pension invaliditeti.
Koodrinatorja për të drejtën e informimit pranë KLGJ-së, Terpsina Lazaj sqaroi për BIRN se Ujkashi ka dërguar një email të martën më 20 qershor, ku sqaronte se do të dilte në KEMP, pasi ka përmbushur kushtin ligjor të paaftësisë për punë për 180 ditë, për shkak të raporteve mjekësore që ka marrë e paraqitur në KLGJ gjatë gjashtë muajve të fundit. Ai ka bashkëngjitur dhe kopje të aplikimit të kryer për përfitim pension invaliditeti pranë KMCAP-it Shkodër.
Po ashtu, ka sqaruar se KMCAP do të mblidhej të mërkurën në orën 12:30 dhe për shkak se duhej të paraqitej atje, e kishte të pamundur të ishte i pranishëm në seancën dëgjimore në KLGJ.
Bazuar në këto rrethana të paraqitura nga Ujkashi, KLGJ vendosi ta shtyjë seancën dëgjimore për më datë 19 korrik, në orën 10:00.
Më parë, KLGJ ka vendosur të verifikojë aftësinë shëndetësore fizike dhe mendore të Ujkashit, por ende nuk ka arritur në një konkluzion.
KLGJ nuk iu përgjigj deri në publikimin e këtij shkrimi pyetjeve për koment që BIRN i drejtoi lidhur më rrethanat e shtyrjeve të njëpasnjëshme të seancave të dëgjimore për Ujkashin, që ka sjellë pamundësinë e shqyrtimit gjatë gjashtë muajve të fundit të tre kërkesave të ILD-së për procedimin e tij disiplinor.
Ndërsa Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani shpjegoi se institucioni që ai drejton e ka paraqitur kërkesën e tij ligjore në seancë, nëpërmjet kërkesës së inspektorëve përgjegjës për çështjen ndaj magjistratit Ujkashi.
ILD e ka filluar hetimin administrativ ndaj Ujkashit për shkelje të legjislacionit material, shkelje disiplinore me dashje, si dhe cënim të imazhit të magjistratit dhe të besimit tek sistemi i drejtësisë. Në dy prej procedimeve ILD kërkon veç e veç pezullim nga detyra për dy vjet, ndërsa në një procedim tjetër kërkohet marrja e masës vërejtje publike.
Përfaqësuesit e ILD-së kanë kërkuar në seancat dëgjimore të mëparshme, që për shkak të mospjesëmarrjes së Ujkashit, të caktohet një avokat kryesisht për të mbrojtur të drejtat e tij, me qëllim që të mundësohet vijimi i procedurës. Po ashtu, ata kanë vërejtur se KLGJ nuk ka marrë vendim lidhur me këtë kërkesë të paraqitur prej tyre.
Prej dhjetorit të vitit 2022, Ujkashi ka mundur t’i shtyjë seancat dëgjimore në KLGJ për proceset disiplinore të ngritura ndaj tij, përmes paraqitjes së raporteve mjekësore. Konkretisht, janë shtyrë seancat e datave 22 dhjetor 2022; 19 janar 2023; 13 shkurt 2023; 6 mars 2023; 5 prill 2023; seancat e datave 8 maj dhe 6 qershor; si dhe e fundit, e datës 21 qershor. Kërkesa e parë e ILD-së u trajtua në seancën e 22 dhjetorit, ndërsa dy të tjerat u paraqitën në seancën e datës 5 prill.