Sun, Nov 24, 2024

Raporti i KLSH, Partia e Lirisë: Mbi 1 miliard lekë në vit nga taksat e shqiptarëve janë vjedhur nga Ministria për Rininë

  • PublishedJune 23, 2023

Partia e Lirisë akuzoi sot kryeministrin Edi Rama dhe ministren e Rinisë Bora Muzhaqi për vjedhjen e taksave të shqiptarëve.

Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë e Lirisë, Silva Caka deklaroi se mbi 1 miliardë lekë në vit nga taksat e shqiptarëve, janë vjedhur nga Edi Rama dhe ministrat e tij vetëm në Ministrinë e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, drejtuar nga Bora Muzhaqi.

“Raporti tematik i Kontrollit të Lartë të Shtetit në këtë Ministri, ka konstatuar një fakt shumë të rëndë për taksapaguesit shqiptarë dhe veçanërisht për të ardhmen e të rinjve dhe fëmijëve në Shqipëri.
Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, Ministria e Rinisë dhe Fëmijëve nuk ekziston, por në të vërtetë kjo ministri merr nga buxheti i shtetit mbi 1 miliardë lekë buxhet çdo vit.

Kjo Ministri u krijua me qëllim që të krijohet një treg dhe punë e mirëpaguar për të rinjtë dhe një fuqi e re në funksion të zhvillimit ekonomik, por realiteti i trishtë i largimit masiv të përditshëm të të rinjve shqiptarë tregon të kundërtën.
Nga auditimi u konstatua se nga Ministria nuk janë ndërmarrë hapa për zhvillimin e kompetencave të rëndësishme për hartimin dhe publikimin e raporteve të vlerësimit mbi situatën e të rinjve, zbatimin e politikave dhe veprimtarive rinore, si dhe nuk janë monitoruar standardet për ndërtimin e hapësirave rinore të sigurta dhe të aksesueshme për të rinjtë”, tha Caka.

Sipas saj, ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, nuk ka hartuar, zhvilluar dhe monitoruar politikat, për marrjen e masave për të siguruar jetesën dhe zhvillimin e fëmijës; sigurimin e bashkëpunimit ndërmjet strukturave dhe autoriteteve qendrore e vendore, si dhe organizatave që mbrojnë të drejtat e fëmijës.

“Largimi i të rinjve shqiptarë është pasojë e keqqeverisjes, korrupsionit dhe shpërblimit të një rrethi njerëzish, të cilët nuk kanë në fokus të punës së tyre zhvillimin e Shqipërisë.
Qeveria e skandaleve të shumëllojshme, ku mbizotëron korrupsioni dhe skandalet seksuale, vjedh edhe fëmijët e të rinjtë nëpërmjet një Ministrie që shërben vetëm si qokë për Borën dhe shoqet e saj, ndërkohë që Shqipëria fatkeqësisht plaket çdo ditë e më shumë”, deklaroi Caka.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.