Mon, Nov 25, 2024

“Nga situata në Kosovë fiton vetëm Putin”, Rama: T’i japim fund lojës politike ‘Tomi dhe Xherri’. Ata që flasin për vëllezër të mëdhenj…

  • PublishedJune 23, 2023

Kryeministri Edi Rama ka mbajtur ditën e sotme një konferencë për shtyp nga ambientet e Kryeministrisë në lidhje me situatën mes Kosovës dhe Serbisë.

Rama u shpreh se marrëdhëniet mes vendeve duhet të normalizohen dhe se do ishte fatale nëse kjo nuk do të ndodhte, duke e cilësuar këtë mundësi si një kthim mbrapa dramatik.

Ai vijoi më tej duke thënë se se situata mes Kosovës e Serbisë nuk favorizon asnjë fuqi, përveç Rusisë, ndërsa shtoi se rajoni i Ballkanit Perëndimor nuk i përket “as Albinit dhe as Aleksandrit”.

Rama deklaroi po ashtu se duhet t’i jepet fund lojës politike “Tomi dhe Xherri”, teksa u shpreh se “ata që flasin për vëllezër të mëdhenj e të vegjël” se procesi i paqes mes Kosovës dhe Serbisë nuk duhet shtyrë pasi nga kjo preket interesi kombëtar i Shqipërisë.

“Do të ishte fatale për atë që është bërë gjithë këto vite, me nisma e ndërveprime në Ballkan nën ombrellën e procesit të Berlinit. Një kthim mbrapa dramatik për krejt rajonin dhe të ardhmen e tij që nuk mund të mbeten peng i garës për elektorat as për ata në Kosovë e as në Serbi.

Marrëdhëniet duhet të normalizohen dhe njohja e ndërsjellët të bëhen de facto. Sa herë e duan politikat e brendshme sa në njërin apo në tjetrin breg fillojnë konfliktet, që vazhdimisht u kujtojnë të tjerëve se ky rajon është ai që mezi çdo ditë po përpiqet të heqë damkën e historisë dhe papritur rizgjohet në anën e gabuar.

Prandaj është e rëndësishme të kuptojnë të tërë që flasin për vëllezër të mëdhenj e të vegjël te ata që kërkojnë arsye për të mos pasur arsye për të shtyrë këtë proces se interesi ynë kombëtar si shtet kërcënohet nga kjo situatë. Ky rajon nuk është as i Albinit, as i Aleksandrit. Rajoni është i shteteve e popujve në të. Kemi vuajtur boll nga nacionalistët, nacional-folkloristët dhe përplasjet e vazhdueshme që sot nuk kanë justifikim sepse jemi në mes të një Europe që kërkon të mbështesë paqen. Kjo situatë i shkon për shtat vetëm Rusisë, asnjë fuqie tjetër. Nga këto përplasje dhe kjo paaftësi për t’u ulur me durim nuk fiton as Europa, vetëm Rusia.

Duhet të dalim nga kjo lojë politike “Tomi dhe Xherri” e të evitojmë skenarët e izolimit të Kosovës, por edhe Serbisë. Nuk janë të mira për interesin kombëtar të Shqipërisë që kërkon të përparojë dhe kërcënohet nga ato që ndodhin rrotull”, u shpreh ai.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.