Mon, Nov 25, 2024

Fenomeni që po shqetëson Home Office/ Shkojnë ilegalisht me varka drejt ‘tokës së ëndrrës’, The Times: Mijëra azilkërkues shqiptarë arratisen nga hotelet në Britani

  • PublishedJune 24, 2023

Mijëra azilkërkues shqiptarë që kaluan Kanalin me varka të vogla duket se po ikin nga hotelet. Ky është alarmi që tregojnë shifrat e Home Office. Midis janarit dhe marsit, 6,068 kërkesa për azil u tërhoqën, ku shumica dërrmuese e kërkesave kishin të bënin me shqiptarët, sipas të dhënave të Home Office. Në periudhën tre mujore, 4386 kërkesa të tërhequra lidheshin me azilkërkuesit shqiptarë, gati tre të katërtat e numrit të përgjithshëm.

Rritja e numrit të emigrantëve që tërheqin kërkesat e tyre për azil ka qenë dramatike krahasuar me vitin e kaluar, me vetëm 1229 tërheqje të regjistruara në të njëjtën periudhë tre mujore të vitit 2022. Vetëm 292 nga këto tërheqje ishin kërkesa shqiptare për azil. Burime të larta të Zyrës së Brendshme thanë se shumica e pretendimeve që ishin “tërhequr” në lidhje me azilkërkuesit, departamenti i ka humbur gjurmët sepse ata ishin zhdukur nga hotelet ose strehimet e tjera për azil ose thjesht nuk ishin paraqitur për intervista. Ndërkohë, ka prova se azilkërkuesit shqiptarë arratisen disa ditë pasi vendosen në hotele. Megjithatë, organizatat bamirëse që punojnë me azilkërkuesit kanë paralajmëruar se disa nga ata që tërhiqen janë viktima të shfrytëzimit dhe Home Office nuk duhet të supozojë se ata janë arratisur, pasi diçka tjetër mund të fshihet pas.

Të dhënat sugjerojnë se më shumë se një e katërta e 12,301 shqiptarëve që mbërritën me varka të vogla vitin e kaluar janë arratisur. Suella Braverman, sekretarja e Brendshme, ka thënë se kompetencat e reja të dhëna nga Projektligji i Migracionit të Paligjshëm për të ndaluar migrantët e paligjshëm pas mbërritjes në MB janë jetike për të parandaluar zhdukjen e tyre. Në një intervistë me The Times në dhjetor, sekretarja e Brendshëm tha: “Shkalla e arratisjes është e vërtetë. Ekziston nevoja për të mbajtur njerëzit që duhet të largohen në një mjedis të sigurt.”.

Enver Solomon, shefi ekzekutiv i Këshillit të Refugjatëve, tha: “Ka rreziqe reale kur i lejojmë njerëzit të bien mes ‘të çarave’ në këtë mënyrë. Ne nuk mund të lejojmë që njerëzit që kanë ardhur në vendin tonë për të gjetur siguri të bëhen viktima të trafikimit dhe shfrytëzimit ose të vuajnë nga varfëria. Të gjitha përpjekjet duhet të bëhen nga Zyra e Brendshme për të siguruar që njerëzit të mos lihen të zhduken në mënyrë që të trajtohet një problem i azilit të prapambetur që vetë qeveria është përgjegjëse për krijimin. Ndërsa problemi i mbetur i azilit duhet të adresohet, ne nuk mund të harrojmë faktin se kemi të bëjmë me jetët e njerëzve të vërtetë që meritojnë t’i dëgjohen kërkesat dhe një shans për të rindërtuar jetët e tyre.”. Suella Braverman tha se kompetencat për të ndaluar emigrantët e paligjshëm ishin jetike për të parandaluar zhdukjen e tyre. Braverman dhe Robert Jenrick, ministri i Imigracionit, u kanë thënë zyrtarëve të Home Office se nuk duan që të ardhurit e rinj të akomodohen në hotele, sipas burimeve qeveritare. Numri i azilkërkuesve që jetojnë në hotele është zvogëluar, ndërkohë që në fillim të vitit ishin 51,000, ndërsa në maj numri shkoi nën 45,000.

Përdorimi i çadrave do të përshpejtojë procedurën për të akomoduar emigrantët pasi kërkesat e gjata të lejes së planifikimit dhe sfidat ligjore kanë vonuar planet për të ripërdorur ndërtesat qeveritare për strehimin e emigrantëve në vende të tilla si RAF Scampton në Lincolnshire dhe ish-lokacioni ushtarak në Wethersfield në Essex. Ministrat thuhet gjithashtu se po shikojnë planet për të rritur kapacitetin e qendrës së përpunimit të emigrantëve Manston në Kent. Kapaciteti i tij prej 1,600 personash u rrit vitin e kaluar me përdorimin e çadrave, por zyrtarët e Home Office kuptohet se janë ngarkuar të rrisin madhësinë e përhershme të vendit duke shtuar ndërtesa. Ekziston frika se një rritje në kalimet e emigrantëve këtë verë do të çojë në një përsëritje të mbipopullimit si në rastin e Manston vjeshtën e kaluar, kur më shumë se 4,000 njerëz mbaheshin në këtë vend, duke trefishuar kapacitetin e tij.

Numri i emigrantëve që kanë mbërritur deri më tani këtë muaj ka eklipsuar totalin për qershorin e vitit të kaluar, duke hedhur dyshime të reja mbi pretendimin e Rishi Sunak tre javë më parë se plani i tij për të ndaluar anijet “po fillon të funksionojë”. Të enjten, 312 migrantë kaluan me tetë varka, duke e çuar totalin për këtë muaj në 3,303. Rritja ka të ngjarë të vazhdojë deri të dielën pasi kushtet atmosferike në Kanal favorizojnë udhëtimet me varfa. Më 4 qershor, kur Sunak bëri pretendimin për efektivitetin e planeve të tij, numri i përgjithshëm i kalimeve të emigrantëve ishte 23 për qind më i ulët se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Megjithatë, kalimet e qershorit e kanë çuar numrin e këtij viti në 10,962, vetëm 7 për qind më të ulëta se 11,806 që kishin mbërritur në këtë kohë vitin e kaluar.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.