Mon, Nov 25, 2024

“Kërkojmë transparencë për shpenzimet e UKT”, Partia e Lirisë: Çmimi është rritur, por qytetarët e Tiranës ende nuk kanë ujë 24 orë

  • PublishedJune 24, 2023

Kryetari i grupit të Këshilltarëve të Partisë së Lirisë në Bashkinë e Tiranës, Endrit Braimllari, ka kërkuar përgjigje nga kreu i bashkisë së Tiranës, sa i takon furnizimit me ujë të pijshëm për qytetarët. Ai thotë se edhe pse uji i pijshëm 24 orë është një nga premtimet e Erion Veliajt, nuk është mbajtur.

Ai shtoi se grupi i Këshilltarëve të Partisë së Lirisë do kërkojë transparencë mbi investimet, shpenzimet e Ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizime Tiranë, sepse vetëm “me rritjen e çmimit të ujit mjaftonte të ishte zgjidhur një herë e përgjithmonë çështja e furnizimit me ujë të qytetit”.

“’Prej 8 vitesh që Erion Veliaj drejton Bashkinë e Tiranës dhe megjithë rritjen e çmimit qytetit nuk ka gjetur zgjidhje për furnizimin me ujë të pijshëm.  Teksa premtonte ujë 24 orë më çmim Bathorje dhe me cilësi Korçe, sot pas 8 vitesh Erion Veliaj sërish ka guximin të gjejë alibi për mos mbajtjen e premtimit për qytetarët e Tiranës megjithë faturën e fryrë që rëndon çdo ditë xhepat e qytetarëve. Teksa Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizime Tiranë është kthyer në një agjenci punësimi për militantët e Erion Veliajt, qytetarët vijojnë të vuajnë mungesën e shërbimit dhe përballen çdo ditë me arrogancën e Ndërmarrjes së Ujësjellësit dhe Bashkisë së Tiranës”’, deklaroi Braimllari në një deklaratë për mediat.

“Jam këtu për t’i kërkuar Bashkisë së Tiranës dhe Erion Veliajt në emër të grupit të këshilltarëve të Partisë së Lirisë, se cilat janë masat që bashkia dhe Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizime ka marrë për këtë sezon veror që qytetarët të mos përballen si çdo vit me mungesën e ujit të pijshëm.

Grupi i Këshilltarëve të Partisë së Lirisë do kërkojë transparëncë mbi investimet, shpenzimet e Ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizime Tiranë sepse vetëm me rritjen e çmimit të ujit mjaftonte të ishte zgjidhur një herë e përgjithmonë çështja e furnizimit me ujë të qytetit.

Bashkia Tiranë dhe Ndërmarrja Ujësjellës Kanalizime do të duhet të sqarojë këshilltarët e Partisë së Lirisë dhe të gjithë qytetarët e Tiranës, pse investimet e premtuara sot nuk janë realizuar dhe nuk është zgjidhur furnizimi me ujë të pijshëm në Tiranë.

Sot, pas 8 vitesh Tirana ka më pak orë furnizim me ujë të pijshëm se para 8 vitesh megjithë rritjen e çmimit, investimet e propaganduara nga bashkia të cilat kanë rënduar drejtpërdrejt mbi xhepat e qytetarëve.

Erion Veliaj do duhet të japë llogari se çfarë masash ka marrë për këtë sezon veror dhe jo të na tregojë shifra false mbi ndërmarrjen më të tejfryrë me punësime personale të Erion Veliaj, e cila duhej të ishte në shërbim të plotë të qytetarëve.

Këshilltarët e Partisë së Lirisë do të marrin angazhimin për këtë çështje me ndjeshmëri shumë të lartë për të pasur transparencë, llogaridhënie dhe një hetim të plotë të këtij institucioni”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.