Skandali me pronat në Shëngjin, Nik Palokaj denoncon: Tokën ma vodhën deputetë, biznesmenë e prokurorë
Skandalet e tjetërsimit të pronave në bregdetin shqiptar nuk kanë të ndalur. Prej 2006 gjykata e ka njohur Nik Palokajn pronar të 101 dynymëve tokë, afër Ranës së Hedhur, por edhe pse kanë kaluar 17 vite, ky vendim nuk po ekzekutohet.
Nik Palokaj, një ish-emigrant në Itali, shpjegon për News 24 se prona e trashëguar nga të parët, sot rezulton e regjistruar në emër të njerëzve të politikës, biznesit e drejtësisë, të cilët u bënë palë me abuzuesit për të përfituar.
“Prokurën false e kishte bërë noterja me nipin dhe vëllain. Këta ia kanë shitur Angjelin Fushës, 48 dynym. Më pas ai ia ka ndarë të tjerëve, Gjovalin Kadelit, ish-kryeprokurorit të Lezhës, ish-kancelarëve, etj”, tha ai.
Ai shpjegon se për grabitjen e pronës u përdor një prokurorë false, përmes së cilës brenda një ditë u kryen 46 transaksione. “Vetëm prej inati janë bërë disa transaksione, sikur ishte tërë Lezha në dispozicion të tyre. Me noterë dhe avokatë”, shtoi ai.
Edhe pse gjykata e ka dënuar noteren, bashkë me vëllain e nipin e Nik Palokajt për falsifikim dokumentesh e tjetërsim pronash, sërish sipërfaqja e madhe e tokës nuk regjistrohet në emrin e pronarëve të vërtetë.
“Prona nuk regjistrohet se është e personit të tretë. Më kanë thënë të Zyrës së Regjistrimit që t’i fus në gjyq, por si ta bëjë kur nuk i kam shitur gjë. I kam thënë drejtorit të Hipotekës, që të më çojnë ata në gjykatë.”, shtoi ai.
Teksa rrëfen historinë, Palokaj thotë se nuk do të ndalet derisa e drejta të shkojë në vendin e vet, e të gëzojë pronën. Por më keqardhje thekson se përgjatë gati dy dekadave vetëm telashe ka patur për shkak të pronës së trashëguar nga të parët. “Gjithmonë kam pasur dallavere, shqetësime, të tëra të këqijat për këto dynym dhe shteti nuk është funksional”, përfundoi ai.
(BalkanWeb)
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–