A do largohet nga komuna e Strugës pas shpalljes non-grata nga DASH? Reagon Ramiz Merko: Ngrij veprimtarinë time në strukturat partiake
Pas shpalljes non-grata nga SHBA, kryekomunari i Strugës, Ramiz Merko ka reaguar për mediat. Në një reagim në rrjetet sociale, Merko nuk ka treguar nëse do të heqë dorë nga posti i tij, ndërsa pohoi se nuk do të marrë pjesë në aktivitete partiake.
“Në të mirë të procesit, vendosa që secilin aktivitet në strukturat partiake ta ngrij deri në mbylljen e proceseve të rëndësishme për të gjithë.”, thuhet në reagimin e tij.
REAGIMI I MERKOS
Që nga Presidenti Uillson e deri më sot, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleati ynë në çdo sfidë dhe bashkë kemi realizuar shume projekte të rëndësishme për vendin, qytetin dhe qytetarët e Strugës.
Mbështetjen vijuese amerikane për vendin tonë dhe qytetarët e Strugës e mirëpres dhe e përkrah gjithmonë.
Pas zhvillimit të fundit në lidhje me vendimin e Departamentit të Shtetit Amerikan, nuk kam dashur të komunikoj në të mirë të proceseve për të cilat do të jem i hapur si çdo herë në përkrahje të drejtësisë dhe për secilin proces në organet e drejtësisë nga ana e institucionit të Komunës së Strugës dhe nga ana ime do të dorëzohet dokumentacioni në kohë sa më të shpejt ashtu siç kam qenë transparent çdo herë për organet e drejtësisë dhe gjithë institucionet e tjera.
Për këtë, në të mirë të procesit, vendosa që secilin aktivitet në strukturat partiake ta ngrij deri në mbylljen e proceseve të rëndësishme për të gjithë. Për fund dua të falenderoj secilin qytetar për mbështetjen ndër vite por dhe mbështetjen të cilën nuk e kanë kursyer dhe këto ditë të cilët jam i bindur se bashkërisht do i kalojmë, në funksion të krijimit të kushteve për një jetë sa më të mirë të qytetarëve të Strugës dhe jo vetëm, për Strugën që e duam.
NON-GRATA
Merko u shpall non grata 6 ditë më parë nga Departament amerikan i Shtetit. Në njoftimin e tyre thuhet se Uashingtoni nuk do të lejojë hyrjen e tij në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të konsiderueshëm. Ndër të tjera ata shtojnë se kryetar i komunës së Strugës, ka shpërdoruar fondet dhe ka ndërhyrë në procese gjyqësore dhe procese të tjera publike duke dëmtuar besimin e publikut ndaj institucioneve demokratike të Maqedonisë së Veriut. Merko ka qenë kryetari i komunës së Strugës gjatë periudhës 2005-2013 dhe ka qenë deputet në Asamblenë e Republikës së Maqedonisë gjatë periudhës 2014-2016.
Në 2017, ai u zgjodh ministër pa portofol në qeverinë e Zoran Zaevit si dhe në të njëjtën kohë shërbeu si president i degës së BDI-së në Strugë. Ndërkohë që ishte profesor në Universitetin e Strugës, inspektoriati shtetëror i edukimit përcaktoi se ai po punonte me një doktoratë të pavlefshme por nuk ngriti kallëzim penal ndaj tij. Në zgjedhjet lokale të 2017-ës, ai mposhti kundërshtarin e tij nga radhët e Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Selën, duke u bërë kryebashkiak i Strugës për herë të tretë.
(BalkanWeb)
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–