Sun, Nov 24, 2024

Vitaminat dhe Mineralet më të Rëndësishme për Meshkujt – Për Trup dhe Zemër të Fortë

  • PublishedJune 27, 2023

Një përqindje e lartë e djemve dhe burrave në ditët e sotme vuajnë nga mungesa e të paktën një vitamine apo ushqyesi të rëndësishëm.

Kjo mungesë i atribuohet kryesisht ushqyerjes së keqe me pak fruta dhe perime.

Studimet tregojnë se të paktën 77 përqind e meshkujve nuk marrin mjaftueshëm magnez, vitaminë D apo B12.

Në këtë artikull të AgroWeb.org do të mësoni për vitaminat dhe mineralet më të rëndësishme që i duhen djemve dhe burrave.

Vitamina D3

Meshkujt kanë nevojë për vitaminën D3 për prodhimin e testosteronit, kockat, shëndetin e trurit, luhatjet e humorit, kolesterolin dhe tensionin e gjakut.

Meshkujt që nuk marrin mjaftueshëm vitaminë D3 janë 80 përqind më të prirur të vuajnë nga një atak në zemër.

Kjo vitaminë merret nga ekspozimi në diell por edhe nga vezët, disa produkte bulmeti dhe kërpudhat

Vitamina B12

Mungesa e kësaj vitamine mund të shkaktojë plogështi dhe probleme nervore.

Vitamina B12 meret nga proteinat shtazore, në veçanti nga mishi i qingjit, viçit dhe salmoni.

Vitaminat A, C dhe E

Këto vitamina me fuqinë e antioksidantëve nuk prodhohen dot nga trupi por merren nëpërmjet ushqimeve si spinaqi dhe barishtet e tjera të egra.

Me kalimin e moshës, këto vitamina parandalojnë mutacionin qelizor, mbrojnë shikimin, imunitetin e forcojnë shëndetin.

Vitamina K

Sipas të dhënave të AgroWeb.org, vitamina K është e rëndësishme për kockat, gjakun dhe parandalimin e sëmundjeve të zemrës.

Mungesa e kësaj vitamine vërehet më shumë tek meshkujt që nuk konsumojnë rregullisht perime apo produkte të bulmetit.

Vitamina K gjendet tek perimet e gjelbra dhe ato të bulmetit.

Magnezi

Ky mineral është thelbësor në parandalimin e tensionit të lartë të gjakut, kontraktimeve muskulore, dhimbjeve të kokës dhe sëmundjeve të zemrës.

Mungesa e magnezit ndikon direkt tek gjumi dhe shkakton ankth dhe konstipacion.

Gjendet te tërshëra, spinaqi, farat e kungullit, farat e linit, avokado.

Acidet Yndyrore Omega-3

Acidet yndyrore omega-3 janë të rëndësishme sepse luftojnë inflamacionin në trup.

Ato gjenden tek salmoni, sardelet, peshku ton, vezët, arrorët dhe farat.

Trupi i njeriut ka nevojë për ekuilibrat e duhur të acideve yndyrore omega-6 dhe omega-3 për të mbrojtur zemrën, trurin dhe imunitetin.

Kaliumi

Niveli i ulët i kaliumit në organizmin e një mashkulli rrit rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare.

Një mungesë e tillë dobëson kockat, plogështon metabolizmin, dobëson tretjen dhe muskujt.

Kaliumin e gjeni tek fasulet, avokado, patatja e ëmbël, bananet dhe salmoni./AgroWeb.org