Speciale nga Besnik Dizdari/ “Jubiletë” e shifrave, nga Kombëtarja te “Klubi Loro Boriçi”
Speciale nga Besnik Dizdari/ “Jubiletë” e shifrave, nga Kombëtarja te “Klubi Loro Boriçi”
27 June, 2023
27 June, 2023
Nga BESNIK DIZDARI
1.
Mbas shkrimit të javës që shkoi për Kombëtaren, e lashë për më vete këtë të sotmin, disi më “të lehtë”, e paksa edhe më çlodhës, me synimin për të mbërritur te shifrat e rralla. Dikur në “Sporti Shqiptar” e kam pasur zakon ta bëja shpesh këtë.
Ky nuk është pra, as një editorial, as një shkrim problematik, mirëfilli as dhe një shkrim historik, ndonëse paksa ky mund të jetë edhe historik. Kështu pra, po më pëlqen të fiksoj se fitorja me Moldavinë është ndeshja e 370-të “jubilare” e Kombëtares së Shqipërisë.
Ndërsa fitorja me Ishujt Faroe ishte fitorja e 100-të “jubilare” edhe kjo e Kombëtares për të gjitha ndeshjet e saj deri më sot. Ndërkaq, duke synuar të qëndroj te shifrat e rrumbullakosura në plotësinë e tyre, me golin e pësuar prej Ishujve Faroe, Shqipëria mbërriti në plot 565 gola të pësuar në të gjitha ndeshjet e saj. Sigurisht shumë!
Dhe kur kalojmë mandej te shifrat e pjesëmarrjes së Shqipërisë në Kampionatet e Europës, këtu na del se kemi dy shifra “jubilare”. Shqipëria mbërriti te fitorja e 25-të në Kampionatet Europiane si dhe në shifrën e mësipërme të 100 golave të shënuar.
Vetëm kaq si “jubile”. Ndërkohë, nxitja e periudhës është që Kombëtarja të synojë të tjerë “jubile” të tillë. Për shembull, ndeshja e ardhshme me Çekinë i takon të jetë ndeshja e 110-të e Shqipërisë për Kampionatin Europian. Goli i parë që kam shpresë se do t’i shënohet Çekisë, do të jetë goli i 350-të “jubilar” i Shqipërisë për të gjitha ndeshjet e saj, miqësore e kampionale.
Nuk e di nëse synimi për këto shifra “jubilare” mund të bëhet nxitje për fitore e ndeshje të bukura të mëtejshme.
Një gjë është: në gjithë këto vite të fundit thuajse nuk merremi me këto “jubile”, apo lojë shifrash të plotë e të rrumbullakosur, që jo vetëm shënojnë një llojsi “poezie”, që po e quaj rimuese (me rimë), për historinë e Kombëtares, por mandej kur ndalon, mbetesh i çuditur për përkimet po në rimën e rrumbullakosur të shifrave.
Gazetaria e sotme shqiptare merret fort me taktikë e teknikë apo me sistem të lojës, sidomos në televizione me “autorë”, në të shumtën futbollistë të mëparshëm ose trajnerë të tashëm, të cilët në fushën e blertë po aq sa kanë interpretuar për së mbari taktikën, po aq e kanë dëmtuar po “për së mbari” taktikën…
Loja e shifrave “jubilare”, që prej vitesh nuk “luhet” ndër ne, sepse ajo është e mundimshme për t’u sendërtuar, pra për të mbajtur arkiv, megjithatë është fort tërheqëse. Pa harruar se, në fund të fundit, ajo të çon në përimtimin dhe zbërthimin shifror të historisë sa të skuadrës e të lojtarëve, por në tërësi, sidomos të bilanceve historike.
Dhe në futboll kanë shumë rëndësi bilancet. Bie fjala, arkivi i bilancit na thotë se Kombëtarja e Shqipërisë nuk ka bilanc pozitiv në asnjë nga pjesëmarrjet e saj. As në bilancin e përgjithshëm të të gjitha ndeshjeve, as në bilancet e pjesëmarrjeve të saj në Kampionatet e Europës e të botës. Ajo nuk ka bilance pozitive as edhe nëse i mbledhim të katër bilancet e pjesëmarrjeve të saj në KE, në KB, në ndeshjet miqësore, e tash, duke përfshirë këtu edhe pjesëmarrjen e saj në veprimtarinë më të re të Europës, këtë që quhet Liga e Kombeve.
Emërtim i kopjuar jo pak nga ai i pari që për Kampionatin Europian, kur ai u sanksionua më 1960, kishte emrin “Kupa e Kombeve të Europës ‘Henry Delaunay’”.
Qofsha i gabuar, por këtë të sotmen, e ashtuquajtura Liga e Kombeve, nuk arrij ta kuptoj përse u themelua. Ajo ka goditur fort ndeshjet miqësore, duke i pakësuar deri në skaj, ndonëse ato të japin një lirshmëri të rrallë, jo thjesht në përsosjen, që po e quaj eksperimentale, të mënyrës së të luajturit, por sidomos në aktivizimin po eksperimental të lojtarëve të së ardhmes. Pa shkuar te diplomacia, te marrëdhëniet ndërshtetase edhe të një politike apo të një gjeopolitike, madje.
Nejse… Nuk kemi se çka të bëjmë përderisa organizatorët apo drejtuesit e federatave ndërkombëtare fetishizojnë fitimet që vijnë përmes të drejtës televizive dhe publicitetit komercial. Dikur i kemi fetishizuar, presidentët e FIFA-s apo të UEFA-s, si dhe ata të federatave të tjera kontinentale, por rastet e Blaterit e të Platinisë treguan shumë.
Nuk kemi të drejtë ndërkohë, që të dyzohemi kur mësojmë se sot presidenti i FIFA-s, Infantino, për një vit të tërë ka emigruar me gjithë familjen qysh nga tetori 2021 në Doha me justifikimin për të ndjekur përgatitjet e Kupës së Botës 2022, duke e drejtuar FIFA-n prej atje! Çka nuk kishte ndodhur asnjëherë në historinë e presidentëve të FIFA-s. Enigmë!…
2.
Kalojmë tash tek ai, që nga vështrimi gazetaresk ma do mendja se tërheq edhe më fort. Tek ai që unë e kam përcaktuar si “Klubi Loro Boriçi”. E kam sendërtuar “Klubin Loro Boriçi” duke “pranuar” anëtarë të tij ata lojtarë, të cilët kanë zhvilluar 20 e më shumë ndeshje me Kombëtaren. Çka nuk është fort e lehtë për t’u arritur.
Është emërtuar me emrin e Loro Boriçit, jo vetëm për famën e madhe të tij si lojtari dhe trajneri i parë shqiptar i Kombëtares, por sepse ai është i pari që ka arritur numrin e 20 ndeshjeve si lojtar i Kombëtares. Kuptohet se është fjala absolutisht për të gjitha rangjet e ndeshjeve që çdo futbollist arrin të luajë me Kombëtaren: miqësore dhe për të gjitha kampionatet e ndryshme ndërkombëtare eurobotërore.
Historia më thotë se Loro Boriçi i paharrueshëm, ndeshjen e tij të 20-të me Kombëtaren e ka luajtur më 5 tetor 1950 në Bukuresht në miqësoren me Rumaninë. Më saktë me ndeshjen e dytë fatale të Kombëtares, të humbur 6-0, vetëm 15 ditë mbas humbjes të Shqipërisë 12-0 prej Hungarisë së Ferenc Pushkashit.
Dihet, kjo ka ndodhur ngaqë gjatë rrugës për në këtë turne Pragë – Budapest – Bukuresht të vitit 1950, Shqipërisë i janë arratisur dy lojtarë, Bule Vathi dhe Bahri Kavaja, çka e ka shndërruar këtë Kombëtare – ndër më të bukurat e Shqipërisë – në një diçka krejt tjetër të një tronditjeje të pangjashme. Ndeshjen e tij të fundit me Kombëtaren, prapë Loro Boriçi e ka të veçantë.
I ndodhur përballë Kombëtares së Kinës në Pekin më 15 shtator 1957. Episodi padyshim që duhet konsideruar i përbotshëm. Boriçi është trajner i Kombëtares. Pra, ndodhet në stolin e drejtimit. Dhe për çudinë e madhe, vesh fanellën e këpucët dhe në pjesën e dytë futet në fushën lojës mbasi kishte ndërruar tre lojtarë. Traumatizohet Enver Shehu dhe kësisoj, ndërrimin e katërt Boriçi e bën me veten e tij! Ai nuk kishte lojtarë të tjerë të gatshëm përveç vetes së tij! Shqipëria humbet 2-3 në praninë kryeministrit të Kinës Çu En Lai, i cili para ndeshjes fotografohet me futbollistët e të dyja ekipeve dhe mandej shkon e u jep dorën me radhë të gjithëve.
Loro Boriçi e mbyll si lojtar i Kombëtares me 24 ndeshje dhe kur unë e kam formuar klubin me emrin e tij, ai kryesonte renditjen me këto 24 ndeshje. Tash Boriçi me 24 ndeshjet e tij ndodhet në vendin e 64-t dhe lë mbrapa vetëm 16 lojtarë, të cilët e kanë veshur fanellën e Kombëtares për herë të 20-të.
Dhe e dini kë ka përkrah? As më shumë e as më pak, por njeriun me emrin Panajot Pano, po aq të madh, lojtar i tij, i cili gjithashtu ka luajtur vetëm 24 ndeshje me Kombëtaren. Dhe i kthehemi të sotmes. Shqipëria ndoshta është një nga Kombëtaret më të rralla në Europë deri më sot, ku asnjë lojtar nuk ka mbërritur në 100 ndeshje të luajtura me fanellën e saj. Kur në botë janë 583 futbollistë, të cilët kanë arritur të luajnë 100 herë e më lart me Kombëtaret e tyre.
Kryeson Kristiano Ronaldo me 200 ndeshje me Portugalinë, i cili sivjet ka 20-vjetorin e ndeshjes së parë të tij me Kombëtaren (2003-2023). Ai ishte 18 vjeç në ndeshjen e parë. Lionel Mesi renditet i 14-ti me 175 ndeshje me Argjentinën. Shkojmë te shifrat tona “jubilare”. Kryeson Lorik Cana me 93 ndeshje me Shqipërinë. Rekord që më pëlqen ta quaj sa të Shqipërisë, por po aq edhe të Kosovës kur kujton se Cana është nga Gjakova.
Ai ende mund ta ndjekë i qetë Kombëtaren duke u ndier i sigurt në kryesimin e tij. Ndërkaq, them se Cana është i vetmi rekordmen i ndeshjeve të kombëtareve në botë, i cili nuk ka luajtur asnjë ndeshje në Kampionatin Kombëtar të shtetit që përfaqëson, pra të Shqipërisë! Kundërshtarin më të afërt Cana e ka Altin Lalën, me 79 ndeshje, i cili nuk mund ta mbërrijë asnjëherë Lorikun ngaqë edhe Altini nuk luan më.
Menjëherë mbas Lalës vjen Elseid Hysaj, i cili javën që shkoi mbërriti vendin e tretë në renditjen e klubit tonë me 77 ndeshje. Që do të thotë bukur 16 ndeshje më pak se Cana. Dhe për t’ia kaluar atij, Hysajt i duhet të luajë me Kombëtaren të paktën edhe nja tri vjet. Çka është e mundshme kur kujton se Hysaj është 28-29 vjeç.
Duhet të trimërohet kur të kujtojë se Loro Boriçi e ka luajtur ndeshjen e tij të fundit me Kombëtaren kur ishte gati 36 vjeç, e kur Panajot Pano ishte 34 vjeç. Përkimi është i rrallë edhe për Panajotin, sepse edhe ai e ka luajtur ndeshjen e fundit po me Kinën, por në Tiranë 1-1 më 1973. Dhe ja tani mbas ndeshjes Ishujt Faroe – Shqipëria 1-3, renditja e “Klubit Loro Boriçi” për 21 të parët:
93 Cana
79 Lala
77 Hysaj
77 Berisha E.
77 Duro K.
75 Skela
75 Bogdani
73 Strakosha F.
73 Agolli
70 Lila A.
70 Roshi
68 Tare
67 Bushi
67 Haxhi
64 Dallku
63 Rraklli
59 Vata R.
55 Bulku E.
52 Cikalleshi
50 Salihi
50 Gjimshiti
Shihet që shifra “21” nuk është “jubilare” e rrumbullakosur, bie fjala të ishte “20”. Është një shifër tjetër “jubilare” që na e bën “21”. Është shifra “50” që siç e shihni, tregon matematikën “jubilare” të ndeshjeve të luajtura prej Hamdi Salihit, të cilin sapo e mbërriti edhe Berat Gjimshiti. Ai e arriti shifrën e 50 ndeshjeve të luajtura javën që shkoi në fitoren 3-1 me Ishujt Faroe. Rivalë të shifrës “93” të Canës tash për tash mbeten vetëm dy:
29-vjeçari Elseid Hysaj dhe 34-vjeçari Etrit Berisha. Mesa duket, gara nuk do të jetë disi e shmangur në largësi, përderisa Hysaj dhe Berisha janë titullarë. Sigurisht do të luftojnë për të luajtur edhe nja 16 a 17 ndeshje (po sa shumë që qenkan!) për t’ua shtrënguar dorën rekordmeni në fuqi, Lorik Cana. Ndërsa ne për të shpresuar se jo vonë mund të kemi një lojtar të 100 ndeshjeve. Merret me mend se kjo “lojë” e arritjes së numrit më të madh të ndeshjeve me Kombëtaren prej një lojtari, nuk është qëllim në vetvete. Ndonëse për çdo futbollist kombëtaras mbetet një synim madhështor. Kjo ngaqë numri “100” i ndeshjeve me Kombëtaren e vendit tënd, tregon jetëgjatësi sportive të një niveli shumë të lartë. Edhe ky një synim i madh për çdo futbollist. Do të ndjekim gjithnjë me kërshëri garën e pandalshme të “Klubit Loro Boriçi”.
Se mos kujtoni që është pak të luash 20 herë me Kombëtaren? Fakti që në 78 vjet jetë të Kombëtares së Shqipërisë, këtë shifër e kanë arritur vetëm 80 futbollistë – shifra e fundit “jubilare” kjo e shkrimit tonë – na bind edhe më fort se të luash 20 ndeshje nën fanellën e saj është një nder i madh. Tash le të shpresojmë që të mos kemi gabuar në shifrat tona “jubilare”, për çka do të mirëpresim me sinqeritet ata që mund të jenë edhe më të saktë. “Është njerëzore me gabue” (William Shakespeare – Soneti XXXV).
PANORAMASPORT.AL