Mon, Nov 25, 2024

“Basha kthehet si një Berishë i vogël i pjesëtuar me 100”, Gjekmarkaj: Do ketë nisma legale për konsiderimin nul të procesit të 29 korrikut. Bardhi e Tabaku…

  • PublishedJune 28, 2023

Deputeti i Partisë Demokratike Agron Gjekmarkaj, i ftuar në emisionin “Open” në News24, ka komentuar në lidhje me situatën politike në vend e kryesisht në Partinë Demokratike.

Ai ka deklaruar se dy përgjegjësit kryesorë e çuan PD-në në këtë situatë ku gjendet tani e ndarë në tre pjesë, janë ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-kreu i PD Lulzim Basha.

Duke folur për kthimin në politikë të zotit Basha, Gjekmarkaj u shpreh se Basha rikthehet si një Berishë i vogël që tenton të marrë atë pak çka mbetur nga PD zyrtare.

Ai deklaroi se as Berisha nuk duhej të rikthehej më, por se gjithsesi ai e ka vërtetuar më 14 maj se është një faktor i rëndësishëm i opozitës me mbështetjen që mori.

Nënkryetari i Kuvendit tha gjithashtu se nëse vjeshta e gjen PD në një situatë si kjo ku është aktualisht, do shkohet drejt shkatërrimit.

Bashkimi sipas tij arrihet nëse ka vullnet dhe “koka të ftohta”, ndryshe opozita tha Gjekmarkaj do përçmohet për mënyrën se si po menaxhon situatën.

Pjesë nga diskutimi në studio:

Vasili: PD e sotme është ndarë në PD të vulës, pjesës së Berishës dhe 20 deputetë që mbështesin zotin Bardhi. Kush është PD e vvërtetë?

Gjakmarkaj: PD e vërtetë janë ata që votuan PD para dy vitesh që sot nuk identifikohen me grupet që përfaqësojnë PD e copëzuar. Kjo është tradhtia më e madhe që i është bërë atyre nga të gjithë ne. Opozitë e shkalafitur në luftë civile me veten.

Vasili: Pse ndodhi copëtimi? Kush është përgjegjësi

Gjakmarkaj: Përgjegjësit kryesorë janë Berisha e Basha. kriza nisi pas vendimit për të pezulluar Berishën nga grupi i PD dhe kur nisi Foltorja, PD nisi luftën brenda llojit që është me dëmtuesja e llojit brenda një partie politike. Rezultati është një PD e copëtuar.

Vasili: Basha ka nisur fushatën për kryetar i PD

Gjekmarkaj: E kam mbështetur në fazën e parë të konfliktit me zotin Berisha, jo se nuk e mendoja se cili do ishte fundi dhe jo se nuk njihja fuqinë e Berishës, më shumë se çështja non grata që nuk i shmangesh do, s’mund të kesh një lider në konflikt me SHBA dhe botën perëndimore e të pretendosh të sjellësh demokratët në pushtet.

Pashë që Basha nuk u përball kurrë me Berishën, nuk doli të sqaroje demokratët për vendimin dhe shmangu edhe studiot televizive. Mori një vendim që nuk e mbrojti. Basha mund të jetë i dobishëm për opozitën por jo lider i saj. Basha është politikan i vjetër tashmë, ka konsumuar për 10 vite drejtimin e opozitës e ka pasur vetëm humbje. Politikan që ka ndenjur nën hijen e Berishës dhe është justifikuar me patronancën e tij. Nuk ka pasur kurajë për një personalitet lideri.

Vasili: Përderisa nuk iku Berisha legjitimohet rikthimi i Bashës?

Gjakmarkaj: Edhe Berisha nuk duhej të rikthehej. Kam besuar se do tërhiqej mënjanë, por ai preferoi betejën. Duhet të iknin të dy se të dy ishin shkaktar të ndarjes së PD.

Ndryshe nga Basha, Berisha tregoi se është faktor i rëndësishëm opozitar ku në momentet e vështira të 14 majit mori vota.

Është faktor me të cilin opozita duhet të bëjë llogaritë në mënyrë luajale. Besoj se ai nuk e çon në fitore opozitën.
Basha kthehet si një Berishë i vogël i pjesëtuar me 100. Tenton të marrë aq pak sa ka mbetur nga PD, një parti pa struktura, me shumë pak njerëz.
Nëse vjeshta e gjen PD në këtë gjendje, është e sigurt që ne shkojmë drejt shkatërrimit. Formula e bashkimit nuk është magjike dhe as e thjeshtë. Së pari bashkimi realizohet nga vullnetet dhe kokat e ftohta. Ndryshe fati i opozitës është i shkruar. Druaj që opozita do përçmohet për mënyrën se si po menaxhon situatën.
Bardhi po ndikon pozitivisht duke kërkuar një proces brenda PD me listën e para dy viteve.
Drama e PD është që kurrë nuk ka bërë zgjedhje të vërteta për drejtuesin e saj.

Do ketë nisma legale për konsiderimin nul të procesit të 29 korrikut. Bardhi e Tabaku po ndikojnë pozitivisht.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.