Mon, Nov 25, 2024

Nga përplasja me policinë te sulmet ndaj Iranit nga kampi në Manzë, si u gjend Shqipëria në mes të konfliktit mes MEK dhe Teheranit. Shërbimet e inteligjencës zbuluan se…

  • PublishedJune 29, 2023

Përplasja mes Policisë dhe banorëve të kampit ku strehohen anëtarë të MEK në Manzë mëngjesin e 20 qershorit, tronditi opinionin me pamjet e publikuara në media dhe pretendimet e banorëve se ishin dhunuar nga efektivët gjatë operacionit.

Deri në kalimin e mesit të muajit qershor 2023, ata konsideroheshin si mysafirët e Shqipërisë dhe Shqipëria për ta ishte vendi mikpritës ku kishin gjetur strehë shpëtimi. Kjo, pasi regjimi i instaluar në vendin e tyre amë, i kishte cilësuar si të padëshirueshëm dhe madje i kishte luftuar dhe kryer çdo tentativë për t’i asgjësuar.

Por ashtu si një rrufe në qiell të hapur, duket se kjo miqësi me Shqipërinë, tashmë është thyer pa kthim, dhe populli i ‘MEK’, apo Organizata e Popullit Muxhahedin në Iran, që strehohet në vendin ballkanik që nga viti 2012, në kampin ‘Ashraf 3’ Manzë, një lokalitet i vogël midis Durrësit dhe Tiranë, nuk duket të jetë më sot edhe aq i mikpritur nga qeveria shqiptare.

Një krisje marrëdhëniesh që në fillim u duk pa një shkak të qenësishëm, por që u bë gjithmonë e më dukshme gjatë një aksioni të gjerë të ndërmarrë nga Policia e Shtetit, mëngjesin e datës 20 qershor 2023.
Ditë kjo kur forca të shumta policore ndërhynë për të ushtruar kontroll në kampin që sot mban të strehuar mbi 2 mijë e 500 muxhahedinë, por që shpejti hasën në rezistencën dhe lëndimin e dhjetrave prej tyre, ndërsa pati pretendime për humbjen e jetës edhe të njërit prej banorëve të kampit, që policia e mohoi vazhdimisht.

Po përse pjesëtarët e organizatës ‘MEK’ ndryshe opozita që lufton kundër regjimit të Ajatollahut në Iran, u fut në këtë përplasje me shtetin shqiptar?

Cili është parimi i mikpritjes, apo vetë thelbi i marrëveshjeve për t’u strehuar në Shqipëri, të cilët më pas ata del se e shkelën?

A kishin ata të drejtë në kundërshtimin që i bënë kontrollit të forcave policore, për të mos lejuar futjen e tyre, në kampin që duhet thënë se ruan që nga krijimi i tij një hermetizim të pashoq, apo le të themi një lloj republike autonome muxhahedinësh në zemër të Shqipërisë?

Sipas dosjes hetimore të siguruar nga emisioni “Në Shënjestër”, e gjithë përplasja midis MEK dhe qeverisë shqiptare, duket se nis me sulmin masiv të hakerimit të sistemeve të Shqipërisë, servera që filluan të sulmohen njëkohësisht në mesin e muajit korrik të vitit 2022.

Kjo ngjarje vuri në vështirësi serioze qeverinë shqiptare, si në opinionin e brendshëm, ashtu edhe me partnerët amerikanë, të cilët po shikonin se si miliona dollarë të investuara në Shqipëri për sigurinë kibernetike, po rrënoheshin nga dita në ditë.
Madje edhe se si veta faqja e AKSHI-t, Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, dhe faqet kryesore të informacionit qeveritar, po dilnin jashtë loje.

Sipas autoriteteve sulmi u realizua nga shërbimet e inteligjencës së Republikës Islamike të Iranit.
Kjo sipas mendimit të qeverisë shqiptare, për shkak të mikpritjes që Shqipëria i kishte bërë kohë pas kohe anëtarëve të organizatës ‘MEK’, në vendin e saj.

Diuhet theksuar që edhe pa këtë sulm marrëdhëniet e Shqipërisë me Republikën Islamike të Iranit, ishin mjaftueshëm të tensionuara, por që kulmuan në përkeqësimin e tyre fill sulmeve kibernetike të mesit të muajit korrik 2022, ku vetëm dy muaj më pas, qeveria shqiptare vendosi dëbimin nga vendi të të ngarkuarit me punë të Republikës së Iranit në Shqipëri si edhe stafit të ambasadës iraniane në Tiranë.

Duke ndërprerë kësisoj edhe marrëdhëniet diplomatike me Republikën Islamike të Iranit, vendim që u bë i ditur nga vetë kryeministri Rama, nëpërmjet një videomesazhi ku bënte të ditur se ky vendim vinte për shkak të sulmit kibernetik që Republika e Iranit kishte ndërmarrë ndaj Shqipërisë.

Ndërkohë që më herët, në vitin 2017, Shqipëria kishte dëbuar ambasadorin e Iranit Gholamhossein Mohammadnia, me akuzën e ‘rrezikimit të sigurisë së vendit’.

“Nga sot Shqipëria ndërpret çdo marrëdhënie diplomatike me Iranin dhe se i gjithë personeli dhe stafi diplomatik iranian duhet të largohet nga vendi ynë brenda 24 orëve”, deklaroi atëherë kryeministri Edi Rama.

Por ndërsa Shqipëria mori hapa të guximshëm, duke shkuar deri në vendimin ekstrem për të prishur marrëdhëniet diplomatike me Republikën Islamike të Iranit, duket se hetimet e SPAK zbuluan se Irani ishte provokuar pikërisht nga brenda Shqipërisë, për të nisur atë që u quajt sulmi i gjerë kibernetik i muajit korrik 2022.

Pretendime të cilat shteti islamik i kishte ngritur kohë pas kohe dhe në mënyrë të vazhdueshme.

Duke kërcënuar madje Shqipërinë se për këtë arsye do të ndërmerrte sulme ndaj saj dhe organizatës ‘MEK’, sulme kibernetike që Republika Iraniane nuk vonoi t’i ndërmarrë ndaj Shqipërisë, gjë e cila cënoi seriozisht sigurinë dhe integritetin kibernetik të shtetit shqiptar.

Statusi i qëndrimit të organizatës ‘MEK’ në Shqipëri është humanitar, dhe kjo organizatë asesi nuk duhej të përfshihej në asnjë lloj sulmi të tillë apo të ngjashëm nga territori i një vendi që i kishte mirëpritur.

“Më datë 18 Maj 2023, nga ana e oficerëve të policisë gjyqësore, në Njësinë ‘C’, Hetimi i Krimit Kompjuterik, pranë Departamentit të Policisë Kriminale si dhe oficerëve të policisë gjyqësore në Drejtorinë e Antiterrorit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, u referua kallëzimi penal për veprat penale ‘Provokim i luftës’, ‘Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike’, ‘Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike’, ‘Ndërhyrja në sistemet kompjuterike’ si edhe ‘Keqpërdorimi i pajisjeve’.
Ky hetim nisi pasi dyshohet se organizata ‘MEK’ (Organizata e Popullit Muxhahedin të të Iranit) ka kryer nga territori i Republikës së Shqipërisë sulme kibernetike ndaj Republikës Islamike të Iranit në disa periudha të ndryshme kohore, si dhe drejt disa institucioneve në shtetin iranian”, thuhet në dosjen hetimore.

Por cilat ishin të dhënat që çuan policinë drejt aktivitetit të paligjshëm të organizatës ‘MEK’ në Shqipëri?

Sipas dosjes hetimore gjithçka nisi pas një monitorimi të vazhdueshëm në rrjete sociale, që ‘Njësia C’ e krimit kompjuterik u bëri disa artikujve të publikuar nga një agjenci lajmesh.

“I gjithë hetimi filloi nga monitorimi i kryer i rrjeteve sociale nga Njësia ‘C’, Hetimi i Krimit Kompjuterik, nga ku rezultoi se më datë 8 Maj 2023, në faqen e internetit me emërtimin ‘Anadolu Ajansi’ u publikua një artikull në gjuhën angleze me titull ‘Ministria e Jashtme e Iranit konfirmon sulmin kibernetik, por mohon rrjedhjen e dokumenteve’.
Por një ditë më parë, më datë 7 Maj 2023, në faqen e internetit me emërtimin ‘Iran International’ u publikua një artikull në gjuhën angleze me titull ‘Hacktivistët synojnë Ministrinë e Jashtme të Iranit, rrjedhje e të dhënave’, ku nga kqyrja e të dhënave në internet me emërtimin ‘Iran International’, i këtij artikulli rezultoi se: ‘Grupi në rrjetin social ‘Telegram’ me emërtimin ‘Kryengritja deri në përmbysje’, i lidhur me grupin opozitar me bazë në Shqipëri, Mujahideen-e Khalq (‘MEK’), publikoi qindra dokumente identifikimi, procesverbale të takimeve, korrespondencën e ministrisë, numrat e telefonit të zyrtarëve të ministrisë dhe emrat e 11 000 punonjës të ministrisë së jashtme, ndër të tjera”, thuhet në dosje.

Po sipas artikullit të publikuar në faqen ‘Iran International’, në fokus të sulmit kibernetik ndaj faqeve shtetërore iraniane, ishin edhe ato të ambasadave iraniane, ndërkohë që hakerat rezultuan se vendosnin mbi to, foton e liderit historik të ‘MEK’, ndërsa me kryq ato të liderit suprem, Ali Khamenei dhe presidentit aktual të Iranit. Ebrahim Raisi.

“Sipas kanalit ‘Telegram’ të hakerëve, të gjitha faqet e lidhura me ministrinë si ambasadat e Republikës Islamike dhe organizatat e lidhura ishin në shënjestër, duke treguar një faqe me foto të liderëve të ‘MEK’-ut si dhe foto të liderit suprem të Iranit Ali Khamenei dhe presidentit Raisi, me kryq të kuq mbi të”, thuhet në dosjen hetimore.

Do të ishin këto dy artikuj, që çuan ‘Njësinë C’ të Hetimit të Krimit Kompjuterik, drejt gjurmimit në rrjetin social ‘Telegram’ të një adrese, e cila rezultonte se kishte postuar edhe dokumentet e hakeruara nga qeveria iraniane.

“Gjatë kqyrjes së të dhënave të siguruara në internet në rrjetin social ‘Telegram’ me emërtimin ‘@ghyamsarnegouni’, rezultoi se në këtë grup, në këtë rrjet social janë të postuara disa dokumenta dhe video të dyshuara të hakeruara nga sistemet kompjuterike qeveritare në Republikën Islamike të Iranit”, thuhet në dosjen hetimore.

Por ndërsa Krimi Kompjuterik mbante në vëzhgim postimet në rrjetin social ‘Telegram’ të grupimit që publikonte video të hakeruara nga sistemet e qeverisë iraniane, tejet i shpejtë ishte edhe reagimi i vetë hakerave të investuar nga qeveria zyrtare iraniane, të cilët mesa duket në formë hakmarrje ndaj vendit të origjinës së sulmeve, nisën të kryejnë hakerimin e tyre.

Këtë herë nëpërmjet ‘Justice Homeland’.

Faqja që u bë e famshme për shkak të publikimit të të dhënave të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, por edhe atyre të institucioneve të tjera, deri te ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gledis Nano, të cilit i publikuan komunikimet me email me vartësit.

“Gjatë kqyrjes së të dhënave në internet në rrjetin social Telegram me emërtimin ‘Justice Homeland’, nga postimi i bërë në këtë rrjet më datë 16 Maj 2023 janë publikuar email-et e punonjësve të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë.
Sipas të dhënave të publikuara në faqen e ‘MEK’-ut, toka e Durrësit është përdorur si seli e kryerjes së sulmeve fizike dhe kibernetike kundër vendeve të tjera. Prisni një hakmarrje që do të synojë shqiptarët”, thuhet në dosje.

Por në vazhdim të kundërpërgjigjes, duket se MEK, nuk vonoi të kryejë një tjetër sulm hakerues ndaj faqeve iraniane, këtë herë edhe më të fuqishëm, ndaj faqeve zyrtare iraniane.

“Nga kqyrja e të dhënave në internet në rrjetin social ‘Telegram’ me emërtimin ‘@ghvamsarnegouni’ (Gyam Sarneguni) janë publikuar disa video dhe dokumenta të ndryshme.

Në postimin e bërë më datë 25 Prill 2022, ora 12:56, konstatohet se është publikuar një video në të cilën shikohen disa faqe iraniane të ndryshme në të cilat pasqyrohet gjendja e tyre para dhe pas sulmit të dyshuar kibernetik.
Në postimin e bërë më datë 13 Qershor 2022, ora 18:34 konstatohet një video e dyshuar e marrë nga kamerat e rrugëve në qytetin e Teheranit, në të cilën ka një mbishkrim me emërtimin ‘Teheran Traffic Control’”, thuhet në dosje.

Tashmë ishte e qartë se midis organizatës ‘MEK’ dhe Republikës Islamike të Iranit, kishte nisur një luftë e gjatë hakerimi, ku në mes pa dijeninë e saj ishte futur edhe Shqipëria.
Gjë që ra në sy edhe të vetë ‘Njësisë C’, të Hetimit të Krimit Kompjuterik.

“Nga kqyrja e të dhënave në internet në rrjetin social ‘Telegram’ me emërtimin ‘Justice Homeland’, në postimin e bërë më datë 19 tetor 2022 në orën 08:36, vihet re se në këtë faqe është publikuar një tekst me mbishkrim në gjuhën angleze dhe e përkthyer në shqip: ‘Për sa kohë që ju nuk mbani një ‘fre’ të ngushtë mbi aktivitetet terroriste të ‘MEK’-ut dhe për sa kohë që anëtarët e varfër të ‘MEK’-ut nuk ‘lidhen’ në vende të tjera, zbulimet tona do të jenë të vazhdueshme”, thuhet në dosje.

Por siç shikohet më poshtë, ‘Justice Homeland’ pasi ka sulmuar faqet shqiptare, në një tjetër sulm të radhës, nuk heziton të këshillojë qeverinë shqiptarë t’i mësojë të sillen mirë banorët e ‘MEK’.

Madje duke i lënë edhe një mesazh me nënkuptim, që t’u japë atyre një jetë urbane dhe të mos e shpenzojnë kohën e lirë, duke u marrë me punë që në fakt vetëm sa i prishin rehatinë Shqipërisë.
Një mesazh që duket se u kuptua drejt edhe nga specialistët e krimit kompjuterik.

“Nga kqyrja e të dhënave në internet në rrjetin social ‘Telegram’ me emërtimin ‘Justice Homeland’.
Gjatë kqyrjes në postimin e bërë më datë 3 Shkurt 2023, në orën 07:31, vihet re se në këtë faqe është publikuar një tekst me mbishkrim në gjuhën angleze dhe e përthyer në shqip ‘Ajo që ka rëndësi është zbulimi i informacionit. Marka nuk ka rëndësi. Ende nuk ka filluar stuhia…’
‘Nëse doni ndonjëherë një Shqipëri të sigurtë për të mbajtur, jepini fund jetës së garnizonit të banorëve të Durrësit dhe jepini atyre kënaqësinë e të jetuarit një jetë urbane..’”, thuhet në dosjen hetimore.

Ky sulm duket se ka vazhduar përgjatë gjithë mesit të dytë të vitit 2022, dhe kulmoi më datë 15 korrik të këtij viti ku pati një sulm të gjithanshëm kibernetik ndaj faqeve qeveritare shqiptare.
Sulme të cilat sipas kërkimeve zyrtare shqiptare u kryen nga inteligjenca iraniane, si hakmarrje ndaj atyre që u kishin ardhur ndërkohë nga kampi i Popullit Muxhahedin, i vendosur në Manëz të Durrësit.

“Gjatë vitit 2022, institucionet shqiptare u prekën nga disa sulme kibernetike të cilat për pasojë sollën çrregullime të veprimtarisë së përditshme të strukturave të Policisë së Shtetit dhe institucioneve të ndryshme kritike. Sipas të dhënave ky sulm kibernetik dyshohet se u mundësua nga struktura të inteligjencës iraniane për faktin se në Shqipëri strehohen një numër i konsiderueshëm anëtarësh të organizatës ‘MEK’ që praktikisht janë opozita e regjimit iranian”, thuhet në dosje.

Do të ishin këto sulme kibernetike që kulmuan në muajin korrik të vitit 2022, që thuhet se e kishin pikënisjen nga hakera të instaluar në Republikën Islamike të Iranit, e që çuan në korrik të po këtij viti, në anulimin për herë të parë në historinë e saj, të konferencës së ‘MEK’.

Konferenca Botërore e ‘Iranit të Lirë’ që ishte programuar të mbahej pikërisht në kampin e muxhahedinëve në Manëz, por që në atë kohë u anulua me justifikimin e mungesës së sigurisë dhe kërcënimeve që vinin nga Republika Islamike e Iranit.
Por edhe për shkak të paralajmërimit të qeverisë shqiptare për mundësinë e sulmeve terroriste.
Konferencë ku në mesin e të ftuarve ishin edhe një sërë politikanësh të huaj, mes të cilëve edhe disa anëtarë të Kongresit Amerikan.

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.