EKSKLUZIVE/ “Kësaj skuadre i bashkohen edhe dy goditje të fundit”, Halili është i qartë: Duhet të kalojmë një tur
EKSKLUZIVE/ “Kësaj skuadre i bashkohen edhe dy goditje të fundit”, Halili është i qartë: Duhet të kalojmë një tur
29 June, 2023
29 June, 2023
Refik Halili është i qartë! Kërkon nga skuadra e re një sezon model plot suksese dhe mundësisht një kualifikim në Europë. Ndërtimi i një skuadre të madhe ka pasur për qëllim fitimin e titullit kampion, Kupës së Shqipërisë. Dhe mbi të gjitha, Europa.
Prej shumë kohësh Halili nuk ka folur për mediat. Madje as për fundin e kampionatit dhe ngjarjet me Bylisin dhe në Kupën e Shqipërisë me Egnatian. Ama në formë batute ai ka vënë pikat mbi “i” për skuadrën që ka ndërtuar. Një ekip bombë që në letër është i papërmbajtshëm dhe për këtë Halili është i qartë për atë që kërkon nga Shehi dhe lojtarët e tij.
“Kam ndërtuar një skuadër të mos i shkojë pas asgjëje. Nuk dua më surpriza dhe nuk dua të merrem më me çështje dhe t’ia lë rastësisë. Tani e kanë ata (ekipi) në dorë. Skuadrën e ndërtova dhe mbetet që të gjithë të shohin frytet e investimit”, tha Halili për “Panorama Sport”. Nënkuptimi ishte shumë i qartë. Presidenti kërkon titullin kampion dhe Kupën e Shqipërisë. Ama nuk ka mbaruar me kaq, Halili gjithë investimin nuk e ka bërë vetëm për titullin kampion. Atë në njëfarë mënyre e arriti edhe me një gjysmëskuadre sezonin e shkuar. Batuta e Halilit sërish ishte e qartë. “Kalimi i tureve në Europë”.
Në fakt që në fillim kur drejtuesit e Tiranës projektuan skuadrën e këtij sezoni dhe ishte Orges Shehi që firmosi kontratën e re, qëllimi minimal ishte kalimi i një apo dy tureve në Europë. Vjet skuadra nuk ia doli, pasi ishte mangët në organikë. Këtë sezon, gabimi i vjetshëm është riparuar. Shehi ka skuadrën e plotë, madje me dy lojtarë në çdo pozicion. Një luks më vete. Që nga porta e deri në sulm, Tirana është bombë. Sulmi është i jashtëzakonshëm, ashtu si edhe mesfusha, për të mos folur për mbrojtjen dhe portën. Nga skuadra e sezonit të shkuar ka mbetur vetëm Najdovski, Deliu, Lushkja, Hasani dhe Abazaj. Në fushë bardheblutë do të kenë ekipin më të mirë të viteve të fundit. Një skuadër që është ndërtuar për të bërë epokë. Për të mos thënë që kësaj skuadre i bashkohen edhe dy goditje të fundit që do të vinë në orët në vazhdim…
OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL