Euro nuk ndal rënien as këtë javë, i afrohet sërish 106 lekëve, Dollari rritet
Monedha e përbashkët ka shfaqur tendencë rënëse përgjatë gjithë kësaj jave në tregun e brendshëm valutor, pas rritjes së lehtë që shënoi javën e kaluar.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye ditën e sotme me 106.44 lekë, nga 107.6 lekë që u mbyll kursi të premten e një jave më parë, kur monedha e përbashkët u forcua përkohësisht për shkak të ndërhyrjeve të Bankës së Shqipërisë, që bleu rreth 15 milionë euro valutë me qëllim plotësimin e rezervës së saj valutore.
Në raport me ditën e mëparshme, euro ra me 0.30 lekë.
Rënia e euros në tregun e brendshëm është ndikuar dhe nga zhvlerësimi i saj në bursat ndërkombëtare, ku monedha e përbashkët u këmbye me 1.084 dollarë, nga gati 1.1 dollarë që ishte një javë më parë, teksa monedha e gjelbër u ndikua nga përmirësimi i treguesve të ekonomisë së SHBA-ve.
Ndryshe nga euro, dollari është mbiçmuar sot në tregun e brendshëm, në linjë dhe me zhvillimet në bursat ndërkombëtare. Një dollar u këmbye sot me 98.15 lekë, ose 0.35 lekë më shumë se një ditë më parë.
Aktorët e tregut pohojnë se faktori kryesor për euron e dobët vijon të lidhet me ofertën e lartë për valutë dhe kërkesën e dobët për të. Oferta është shtuar me rritjen e aktivitetit turistik të vendit, por gjithsesi ndikimin më të lartë vijon që ta japë valuta informale, që qarkullon në vend.
Me efektet e sezonit që pritet të intensifikohen më tej në javët në vijim, që kulmon në ditët e para të gushtit, euro pritet që të vijojë të ketë tendencë dobësuese.
Gjatë këtij viti, euro është këmbyer mesatarisht me 112.8 lekë, teksa në muajt e parë të vitit u këmbye mesatarisht me 114-116 lekë. Ky është niveli më i ulët historik, ndërsa mesatarja e vitit 2022 ishte gati 119 lekë.
Tendenca e fortë rënëse nisi që në maj. Pas përfundimit të zgjedhjeve euro u rrit përkohësisht për disa ditë, për t’iu rikthyer sërish nënçmimit të fortë./Monitor/
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–