Oficeri i Policisë Gjyqësore nën akuzë për ‘ndikim të paligjshëm’
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK njoftoi të premten më 30 qershor procedimin e një oficeri të policisë gjyqësore në Prokurorinë e Tiranës për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”, pasi akuzohet se ka marrë para nga nëna e një të pandehuri me premtimin se do t’ua jepte prokurorit dhe gjyqtarit të çështjes, si dhe u ka kaluar të dhënat hetimore.
Në njoftim thuhet se Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka pranuar kërkesën e SPAK për caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg” ndaj oficerit të policisë gjyqësore F.L., por ka qenë i pamundur ekzekutimi pasi i dyshuari ka rezultuar se është larguar jashtë shtetit.
Ndërkohë, janë ekzektuar masat për dy të proceduarit e tjerë, shtetasin T.Ll dhe nënën e tij E.LL., të akuzuar për të njëjtën vepër penale ashtu si oficeri i policisë gjyqësore, pasi akuzohen se i kanë dhënë këtij të fundit një shumë parash me qëllim që ai të ndikonte tek prokurori dhe gjyqtari i çështjes.
“Ka dyshime të arsyeshme të bazuara në prova dhe fakte se shtetasi në hetim F. L., me detyrë oficer i policisë gjyqësore në Prokurorinë e shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka marrë përsipër të ushtrojë ndikim dhe ka pranuar shumën monetare të dhënë nga shtetësja T. Ll. (që rezulton të jetë më shumë se 50.000 lekë), tek Prokurori i çështjes me të pandehur shtetasin E. Ll. dhe tek gjyqtari i çështjes,” thuhet në njoftim.
Sipas SPAK, nga hetimet është zbuluar gjithashtu se oficeri i policisë gjyqësore ka konsumuar edhe veprën penale të “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”, pasi të dhënat e hetimit që ka disponuar për shkak të detyrës që ushtronte, ia ka transmetuar nënës së shtetasit E. Ll. nëpërmjet telefonit. “…Madje duke rekomanduar se prokurorët duhen takuar”, theksohet në njoftim ku sqarohet se këto veprime kanë cënuar sekretin hetimor, pasi prokurorët e çështjes nuk kishin ndërmarrë veprime të hapura me shtetasin E. Ll..
Njëkohësisht, E. Ll. i ka paguar avokatit S. A. shumën prej 300 mië lekësh lekësh, duke qenë në dijeni se një pjesë e kësaj shume parash konkretisht 150 mijë lekë do të jepej nga ana e avokatit me qëllim që ai të ushtronte ndikim te gjyqtarët e Apelit, të cilët ishin tre, dhe secilit do t’i jepej shuma prej 50 mijë lekësh lekësh. SPAK nuk sqaron nëse ndaj avokatit është regjistruar hetim lidhur me ndikimin që do të ushtronte tek tre gjyqtarët e Apelit.
Në njoftim sqarohet se, pavarësisht përpjekjeve për të ndikuar tek gjyqtarët dhe prokurori kundrejt pagesës, shtetasi E.Ll. është dënuar dhe për rrjedhojë pasoja nuk ka ardhur.