Mon, Nov 25, 2024

BIRN: Kuvendi fut në axhendë draftet kundër politikanëve të lidhur me ish-Sigurimin

  • PublishedJune 30, 2023

Kuvendi ka futur për votim në seancën plenare të parashikuar për 13 korrik dy projektligje të inicuara nga mazhoranca socialiste, që kanë të bëjnë me verifikimin e figurës së politikanëve në lidhje me të shkuarën e tyre në komunizëm.

Projektligjet parashikojnë ndryshime në ligjin “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, i njohur si ligji i dekriminalizimit, si dhe në ligjin për partitë politike.

Në rastin e parë parashikohet heqja e mandatit të deputetit për personat që verifikohen nga Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, AIDSSH, se kanë qenë bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit famëkeq dhe në rastin e dytë, këtyre personave u ndalohet të jenë kryetarë të një partie politike.

Të dyja iniciativat janë të Partisë Socialiste dhe u dorëzuan vitin që shkoi në Kuvend, pasi AIDSSH njoftoi Kuvendin se një email anonim kishte hedhur dyshime se një politikan i lartë me inicialet I.M kishte qenë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit.

Autoriteti i Dosjeve kërkoi në atë kohë të drejtën për të riverifikuar figurat e zyrtarëve të lartë që kishin marrë “certifikatë pastërtie” nga dy komisione të ngritura në vitet pas rënies së komunizmit, “Mezini” dhe “Bezhani”.

Ish-presidenti Ilir Meta, aktualisht kryetar i Partisë së Lirisë, i hodhi poshtë akuzat dhe e cilësoi inciativën një sulm politik, duke hapur një betejë ligjore me AIDSSH-së.

Pavarësisht kritikave se po përdorej si instrument politik për të sulmuar figura të opozitës, Kuvendi miratoi në tetor 2022 ndryshimin në ligjin e Autoritetit, duke lejuar rihapjen e dosjeve të komisioneve “Mezini”, “Bezhani”, nga verifikimi i së cilëve Meta kishte dalë “i pastër”.

Meta nuk iu përgjigj kërkesës për koment nga BIRN nëse e shihte veten si target politik të këtyre nismave ligjore, që pritet të miratohen së shpejti.

Që prej hapjes së rrugës për riverfikimin e certifikatave të dhëna nga komisionet e ngritura pas rënies së komunizmit, Autoriteti i Dosjeve nuk ka ende një përgjigje publike për përfshirjen e ose jo të Metës apo politikanëve dhe zyrtarëve të tjerë të lartë.

Por kryetarja Gentiana Sula dorëzoi në qershor në Kuvend një raport për verifikimet e bëra, i cili ishte klasifikuar si sekret shtetëror, që sipas saj, kishte të bënte me “korrespondencën shkresore me Shërbimin Informativ Shtetëror”.

“Nga verifikimet që ne kemi bërë, disa kandidatë që figurojnë në dokumentet e Sigurimit, rreth 3% e tyre janë ‘pastruar’ nga komisionet Mezini-Bezhani,”tha Sula gjatë raportimit në Kuvend.

Në të njëjtën mbledhje, komisioni i Ligjeve vendosi që të kërkojë në mënyrë zyrtare verifikimin e deputetëve të Kuvendit nëse kanë qenë bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit, në bazë të një liste emrash pa kritere të qarta.

Ndërkohë, dy projektligjet e reja që pritet të miratohen do të ndalojnë karrierën politike të personave që kanë pasur një lidhje me ish-Sigurimin e diktaturës komuniste të Enver Hoxhës 1944-1991.

Në ligjin e dekriminalizimit parashikohet se: “nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetar bashkie apo këshilltar në këshillin bashkiak, dhe në çdo rast nuk mund të marrin një funksion me votim nga Kuvendi, përfshirë funksionin e Kryeministrit apo anëtarit të Këshillit të Ministrave, apo me votim nga këshillat bashkiakë ose të qarkut, personat të cilët provohen nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, se kanë qenë anëtarë, bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit”.

Sipas propozimeve të PS-së, verifikimit do t’i nënshtrohen edhe personat që janë aktualisht në pozicione të tilla, pavarësisht nëse e kanë apo jo një certifikatë pastërtie nga komisionet “Bezhani” apo “Mezini”.

Ndërsa në ndryshimet që do të bëhen në ligjin “Për partitë politike” parashikohet ndalimi i zgjedhjes si kryetar i një partie politike i personave që kanë pasur lidhje me ish-Sigurimin.

“Nëse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vërteton se kryetari i një partie politike ndodhet në kushtet e ndalimit i kërkon partisë politike shkarkimin e kryetarit dhe zgjedhjen e një kryetari të ri brenda 2 muajve nga konstatimi,” thuhet në relacionin e këtij projektligji.

Në axhendën e Kuvendit është përfshirë dhe një projektligj i tretë që lidhet me lustracionin me nismëtar deputetin Oerd Bylykbashi dhe një grup prej 28 deputetësh të opozitës.

Projektligji “Për pastërtinë e figurës së funksionarit dhe të zyrtarit publik” ka si qëllim ndalimin për t’u zgjedhur apo emëruar dhe largimin nga funksionet aktuale publike të funksionarëve të lartë të regjimit komunist dhe bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit.

Sipas propozimeve në këtë projektligj, synohet një lustracion i përgjithshëm ku përfshihet ndalimi i detyrave publike për të gjithë individët me funksione të larta politike në sistemin komunist, duke filluar nga Byroja politike dhe deri te instrumentet e represionit institucional që regjimi komunist kishte, ku përfshihet Ministria e Brendshme, Sigurimi i Shtetit, Policia, Prokuroria, gjykata dhe hetuesia dhe gjithashtu bashkëpunëtorët e ish-sigurimit.

Në më shumë se 3 dekada pas rënies së sistemit komunist, Shqipëria nuk ka arritur të kryejë një lustracion të plotë dhe të dënojë krimet e shkuara pavarësisht disa nismave ligjore. Ligji i fundit për lustracion u miratua nga parlamenti në vitin 2008 dhe më pas u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese pas padisë së Partisë Socialiste./reporter.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.