Mon, Nov 25, 2024

Mbyllja e vetingut për kreun e KLP-së ankimohet në Kolegj

  • PublishedJune 30, 2023

Alfred Balla

, ankimoi të premten më 30 qershor vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për përfundimin e vetingut pa një vendim përfundimtar dhe pa sanksion ndaj kreut aktual të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, .

Balla iu nënshtrua procesit të rivlerësimit për shkak të ushtrimit të detyrës si ndihmës ligjor në Gjykatën e Lartë deri më 31 korrik të vitit 2017.

Ballhysa e cilëson vendimarrjen e shumicës së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në kundërshtim me përcaktimet kushtetuese dhe kërkon ndryshimin, ku veç ndërprerjes së vetingut, kërkoi që ndaj Ballës të caktohet edhe sanksioni që i ndalon emërimin në disa pozicione në sistemin e drejtësisë për 15 vjet, përfshi dhe funksionin që ai mban aktualisht.

Përmes një reagimi të shpërndarë me Ëhatsapp, kreu i KLP-së, Alfred Balla tha se ankimi i komisionerit “e kishte habitur”, pasi sipas tij ishte ndjekur një praktikë tjetër për rastet analoge.

Balla shtoi se nuk ishte larguar me dorëheqje nga detyra si ndihmës ligjor në Gjykatën e Lartë, por ishte liruar. Sipas tij, procedura e e vetingut si këshilltar duhej të ishte pushuar pa vendim përfundimtar para 5 viteve.

I pyetur nga BIRN nëse kjo situatë ndikonte në ushtrimin e funksionit të tij si anëtar dhe kryetar i KLP-së, Balla tha se “s’ka lidhje”.

Kreu i KLP-së, Alfred Balla ishte sipas legjislacionit në fuqi subjekt i vetingut për shkak të punës së tij si ndihmës ligjor në Gjykatën e Lartë deri në 31 korrik 2017 dhe duhej t’i nënshtrohej procesit të rivlerësimit.

Por, dy prej anëtareve në shumicë, kryesuesja dhe relatorja , vlerësuan se Balla nuk ishte më subjekt rivlerësimi dhe se procesi i tij duhej mbyllur pa vendim përfundimtar. Pine dhe Faskaj arsyetuan se Balla nuk kishte dhënë dorëheqjen dhe se statusin e kishte humbur për shkak se ishte shkarkuar nga kreu i Gjykatës së Lartë në korrik 2017.

Në pakicë, komisionerja  paraqiti mendim paralel. Ajo vlerësoi të rëndësishëm statusin ligjor në të cilin është gjendur subjekti në momentin e hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese dhe ligjit për vetingun e magjistratëve, si dhe vullneti apo qëndrimi i Ballës në raport me ecurinë e procesit të rivlerësimit. Sipas saj, Balla ose duhej t’i nënshtrohej procesit të rivlerësimit kalimtar, ose duhej t’i nënshtrohej dispozitave të nenit “G” të aneksit të kushtetutës që përcaktojnë ndërperjen e vetingut me sanksionim 15-vjeçar.

Argumentet e ankimit

Komisioneri Ballhysa e cilëson të pabazuar në situatën faktike vendimarrjen e shumicës së Komisionit. Ai sjell në vëmendje qëllimin e përcaktuar në Kushtetutë për procesin e vetingut, atë të funksionimit të shtetit të së drejtës, pavarësisë së sistemit të drejtësisë dhe rikthimit të besimit të publikut tek drejtësia. Po ashtu, në arsyetimin e tij bazohet në jurispudencën e Kolegjit dhe në gjetjet e vëzhguesit ndërkombëtar të paraqitura në KPK në qershor të vitit 2022.

Ballhysa konstaton se vëzhguesi ndërkombëtar është shprehur se Balla ishte subjekt rivlerësimi në kohën e hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese që rregullonin procesin e rivlerësimit. Në ankim evidentohet fakti se Balla ka ndërmarrë një betejë ligjore me Gjykatën e Lartë lidhur me lirimin e tij nga detyra, që e ka fituar në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, ndërsa në Apel ka pretenduar njohjen e statusit si jomagjistrat, duke pranuar se e ka statusin e subjektit edhe pasi është liruar nga detyra nga kryetari i Gjykatës së Lartë.

Gjykata ka vendosur gjithashtu se Balla e ka humbur statusin e këshilltarit ligjor vetëm kur u zgjodh si anëtar i KLP-së në vitin 2018, si dhe i është dhënë e drejta të përfitojë pagesën si këshilltar ligjor deri në atë moment.

“Në një situatë ku z. Balla nuk do ishte liruar (jo ligjërisht) nga detyra e tij, ai do ushtronte shërbimin në sistemin e drejtësisë. Fillimisht, në Gjykatën e lartë (si Këshilltar ligjor jo magjistrat) dhe më pas në Këshillin e Lartë të Prokurorisë si magjistrat. Por në të dyja rastet, ai do mbante statusin si subjekt rivlerësimi dhe do ishte nënshtruar procesit të rivlerësimit”, pasqyrohet në ankim mendimi i ONM.

Bazuar në opininion e ONM-së, trupa e KPK-së ka vazhduar procedurën e vetingut për Ballën duke e konsideruar subjekt rivlerësimi, si dhe ka i dërguar atij dy pyetësorë në drejtim të vlerësimit të pasurisë, procedurë e cila ka zgjatur deri më datë 30 maj të vitit 2023, kur Komisioni i ka dërguar subjektit rezultatet e hetimit, duke konkluduar me përfundimin e procesit të rivlerësimit pa vendim përfundimtar.

Referuar akteve në fashikullin e Komisionit, Ballhysa vlerëson se që prej momentit kur vëzhguesi ndërkombëtar ka paraqitur mendimin e tij dhe kur trupa e KPK ka vendosur ta vijojë procesin, e deri në paraqitjen e rezultateve të hetimit afro një vit më vonë, nuk ka ndryshuar ndonjë rrethanë që të mund të dilej me një përfundim të ndryshëm, duke konstatuar se Balla nuk e gëzonte më cilësinë e subjektit të rivlerësimit.

Ai shton se sipas praktikës së konsoliduar të Kolegjit, në momentin kur fillonte procedura e rivlerësimit, jo domosdoshmërisht subjektet e rivlerësimit mbanin të njëjtën detyrë funksionale për të cilën ex officio, Kushtetuta dhe ligji i kishte parashikuar si të tillë.

Komisioneri Publik vlerëson se Alfred Balla e ka fituar statusin ligjor të subjektit të rivlerësimit, që në momentin e hyrjes në fuqi të ndryshimeve Kushtetuese e, për pasojë, do të duhej t’i nënshtrohej ex officio procesit të rivlerësimit kalimtar, në zbatim të kuadrit ligjor në fuqi, i cili rregullon këtë proces.

“Arsyetimi i Komisionit se subjekti i rivlerësimit, z. Alfred Balla: … ka humbur statusin e subjektit të rivlerësimit, jo si pasojë e përfundimit të procesit të rivlerësimit, apo e dorëheqjes së tij, por si pasojë e një akti që ka vendosur ndërprerjen e marrëdhënies së punës së tij, bie ndesh me Kushtetutën dhe ligjin dhe nuk përputhet as me përmbajtjen e akteve në fashikull,” arsyeton Ballhysa dhe shton se kur subjektet vendosin të mos i nënshtrohen procesit të vetingut, atëherë përjashtohen nga mundësia e emërimit në disa prej organeve të drejtësisë për një periudhë 15-vjeçare.

Ballhysa sjell në vëmendje të Kolegjit edhe faktin se Balla, teksa nga njëra anë kërkonte ndërprerjen e procesit të rivlerësimit, nga ana tjetër ka bërë objekt gjykimi urdhërin e Kryetarit të Gjykatës së Lartë për lirimin nga detyra, duke iu drejtuar juridiksionit gjyqësor në vitin 2020 ku ndër të tjera është shprehur se kishte pritur të krijohej Këshilli i Lartë Gjyqësor e të rishikonte aktet në kapërcim të kompetencave të ish-Kryetarit të Gjykatës së Lartë.

“…Subjekti i rivlerësimit i është drejtuar me kërkesë me shkrim Këshillit të Lartë Gjyqësor, duke i kërkuar njohjen/pasjen e statusit të këshilltarit ligjor pranë Gjykatës së Lartë,” vëren Ballhysa dhe sqaron se KLGJ në vitin 2020 e ka pezulluar shqyrtimin e kërkesës me argumentin se kjo çështje ishte duke u trajtuar në gjykatë.

Në ankim pasqyrohet dhe fakti se, kur nga ana e trupës së KPK është vijuar me dërgimin e pyetësorëve, në shkurt të 2023-it, Balla ka depozituar pranë Gjykatës Afministrative të Apelit kërkesë për heqje dorë tërësisht nga e drejta e padisë, pasi mendonte se statusi aktual pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë nuk përputhet me atë të ndihmësit ligjor që kishte gëzuar deri në 2017-ën.

Në vijim, Balla i është drejtuar edhe KLGJ-së, me kërkesë për heqje dorë nga kërkimi i mëparshëm për deklarimin e pasjes së statusit të këshilltarit ligjor jomagjistrat në Gjykatën e Lartë, duke arsyetuar se gjykimi kishte përfunduar në të dy shkallët dhe se pozicioni aktual në KLP nuk pajtohet me statusin e ndihmësit ligjor.

KLGJ ka vendosur në muajin maj 2023 të shfuqizojë pezullimin e shqyrtimit të kërkesës dhe përfundimin pa vendim përfundimtar të shqyrtimit të saj, për shkak të heqjes dorë nga Balla.

“…Të gjitha veprimet e kryera prej tij lidhur me procesin e rivlerësimit, përfshirë edhe vetë heqjen dorë nga e drejta e padisë së paraqitur për gjykim nga subjekti i rivlerësimit, z. Alfred Balla, përpara juridiksionit gjyqësor administrativ, si dhe heqjen dorë nga kërkesa për njohjen/pasjen e statusit të Këshilltarit/Ndihmësit ligjor pranë Gjykatës së Lartë paraqitur në KLGJ, depozitimi i vendimit të Gjykatës së Apelit Administrativ për prishjen e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë dhe rrëzimin e padisë, si dhe ai i KLGJ-së për heqjen dorë nga kërkesa, si aktet ku subjekti i rivlerësimit bazonte kërkesën e tij për ndërprerjen e procesit të rivlerësimit nga ana e Komisionit, janë shprehje e qartë dhe e lirë e vullnetit të tij për t’iu shmangur kryerjes së procesit të rivlerësimit”, citohet në ankim.

Komisioneri Publik nënvizon se çdo interpretim i kundërt që do të bënte të mundur, sikundër ka lejuar Komisioni në rastin konkret që Balla, megjithëse ka shfaqur qartësisht vullnetin t’i shmanget procesit të vetingut, të vijojë ushtrimin e një prej funksioneve të parashikuara nga neni G i Aneksit të Kushtëtutës, si të ndaluara për t’u gëzuar për 15 vjet.

“…Subjekti i rivlerësimit ka ushtruar të drejtat e tij, duke bërë një zgjedhje personale, duke shprehur vullnetin e pavesur për ndërprerjen e procesit të rivlerësimit, duke zgjedhur ispo jure të ketë dhe ndalimin që parashikon neni G i aneksit të Kushtetutës”, përfundon arsyetimin Ballhysa dhe i kërkon Kolegjit ndryshimin e vendimit të Komisonit për Alfred Ballën dhe që ndëprerja e procesit të vetingut ndaj tij të shoqërohet me sanksionin që i ndalon emërimin në sistemin e drejtësisë për 15 vjet.