Mon, Nov 25, 2024

Shqipëria bëhet me kadastra krejtësisht digjitale, VOA: Shpresohet frenimi i korrupsionit

  • PublishedJune 30, 2023

Autoritetet në Shqipëri kanë përgatitur shërbimet hipotekore plotësisht digjitale përmes platformës e-Albania dhe njoftuan mbylljen e gjithë sporteleve për qytetarët nga dita e hënë.

Kryeministri Edi Rama kërkoi ndjesë në emër të Partisë Socialiste për vonesat, korrupsionin dhe abuzimet, që qytetarët kanë pësuar gjatë takimeve me punonjësit e kadastrës.

Ai tha në një fjalim publik se ndjente turp dhe keqardhje për situatën e rëndë, ku gjendeshin hipotekat, edhe pse është në vitin e dhjetë dhe mandatin e tretë të qeverisjes socialiste.

Qeveria njoftoi sot në Tiranë mbylljen e çdo sporteli kadastrash dhe çdo kontakti fizik mes qytetarëve dhe punonjësve të shërbimeve hipotekore të Shqipërisë.

Nga e hëna e në vazhdim çdo shërbim i këtij lloji mund të ofrohet vetëm përmes platformës e-Albania, në përpjekje për t’i dhënë fund, pas një reformimi të thellë teknologjik, parregullsive të shumta gjatë tre dekadash, si dhe korruspionit të kësaj administrate.

Autoritetet shprehën keqardhjen për gjendjen e rëndë dhe shërbimet e dobëta të deritanishme në lidhje me pronat, të cilat kanë shkaktuar probleme të thella në shoqëri dhe në ekonomi.

Kryeministri Edi Rama tha se qeveria socialiste nuk ia arriti deri tani, me gjithë kohën e gjatë në dispozicion, që të ndryshonte gjendjen e trashëguar, sepse çdo përpjekje e re pengohej nga ndërhyrjet korruptive dhe ndikimet e pushtetarëve të niveleve të ndryshme.

Ai tha se deri sot për kadastrat ndjente turp dhe kërkonte ndjesë.

“Sot është dita për t’u kërkuar një ndjesë shumë të madhe në emër të Partisë Socialiste të gjithë atyre shqiptarëve, që kanë kaluar në zinxhirin e torturave në kadastër. Kjo ndjesë është ndjesa e kryetarit të një partie fajtore. Natyrisht nuk është e gjithë partia, por është udhëheqja e partisë, në radhë të parë, që ka dhënë shembullin më të shëmtuar për gjithë të tjerët”, tha zoti Rama.

Përballë një auditori plot me deputetë, ministra dhe kryebashkiakë, në fillim drejtuesja e re e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës dhe më pas kryeministri Rama e quajtën këtë institucion një fole abuzimesh me pronat, legalizimet, dokumentet, ku korrupsioni, nepotizmi dhe ndikimet politike e familjare fitonin përballë përpjekjeve për shërbime të ndershme.

Teknologjia digjitale dhe shërbimet online, që nisin të përdoren nga e hëna shpresohet të shërojnë një nga plagët më të rënda të tranzicionit shqiptar; marrëdhëniet e shtetasve të Shqipërisë me pronat e tyre.

Ekspertët pohojnë se shpesh kanë ndodhur falsifikime, zhdukje dhe zëvendësime dokumentesh, mbivendosje hartash dhe rrëmbime pronash, të cilat kanë sjellë mijëra procese gjyqësore pa mbarim, krime dhe konflikte të thella shoqërore.

Përmirësimi i hipotekave ishte një nga premtimet kryesore të Partisë Socialiste në zgjedhjet e vitit 2013 dhe tashmë ajo ka marrë mandatin e tretë qeverisës dhe shumicën dërrmuese të pushtetit vendor.

Institucionet perëndimore dhe qarqet e biznesit vendase dhe të huaja kanë kërkuar vazhdimisht rritjen e sigurisë në këtë sektor për të bërë të mundur shtimin e investimeve të huaja dhe frenimin e konflikteve gjyqësore për çështje pronash./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.