Mon, Nov 25, 2024

Përfundon ‘zyrtarisht’ Ballkani i Hapur/ Rama: E kreu misionin për të cilin lindi, para kemi Procesin e Berlinit

  • PublishedJuly 1, 2023

Kryeministri Edi Rama në një intervistë nga Ulqini aty ku ishte për të ndjekur koncertin e tenorit me famë botërore, Rame Lahaj, foli për ‘Open Balkan’.

Në një intervistë për Euronews Albania, Rama tha se kjo nismë e ka përfunduar misionin për të cilin lindi.

“Në tetor Shqipëria pret për herë të parë që kur në 2014-tën Angela Merkel hapi procesin, Samitin e Berlinit në Ballkan, në Tiranë dhe është një samit jashtëzakonisht i rëndësishëm sepse ne jemi përgatitur për një hap të madh përpara, po punojmë me Bashkimin Europian për një plan të ri financimi dhe mbështetje ekonomike të gjithë vendeve të rajonit që duam shumë ta konkretizojmë në Samitin e Berlinit në tetor dhe është një plan real. Ursula Von der Leyen në Bratislavë e dha një mesazh të parë lidhur me planin për të rritur financimin, për të rritur aksesin e Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët europian.

Ndërkohë që duhet të merremi me këtë, natyrisht që Procesi i Berlinit është aksi ynë kryesor. Ballkani i Hapur ishte një iniciativë që lindi nga nevoja për ta shtyrë përpara Procesin e Berlinit dhe e ka kryer atë mision për të cilin lindi. Ne duhet të futemi me kokë tani në Procesin e Berlinit sepse e kemi këtë mundësi, e kemi Procesin e Berlinit në Tiranë. Kemi mundësi ta zotërojmë si proces me mbështetjen e madhe që kemi nga Gjermani, nga kancelari Scholz dhe nga gjithë të tjerët dhe në ndërkohë e kuptoni se çfarë do të thotë? Tetori erdhi, korriku hyri, si mundet ne ta mbajmë të bashkuar Bashkimin Europian? Se jo të gjithë aty janë të vëmendshëm, jo të gjithë aty e kanë interesin që kanë këta kryesorët për të na mbështetur ne, për të mbështetur Ballkanin Perëndimor, nëse ne merremi me Oso Kukën,” – u shpreh Rama duke iu referuar kështu kryetarëve të komunave në Veri që janë të ngujuar prej tensioneve të krijuara atje me Serbinë.

Ai shtoi se planifikon të bëjë takime me gjithë kryeministrat dhe presidentët në rajon për të folur mbi këtë proces dhe për t’iu kërkuar kohezion e bashkëpunim.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.